Ja plani që kishte CIA më 1955 për rrëzimin e regjimit komunist, u dërguan letra të koduara për disa prej krerëve të pushtetit, synohej nxitja e dezertimeve

  • 26 September 2018 - 10:12
Ja plani që kishte CIA më 1955 për rrëzimin e regjimit komunist, u dërguan letra të koduara për disa prej krerëve të pushtetit, synohej nxitja e dezertimeve

Amerikanët kanë zbardhur detajet e operacioneve të vitit 1955 për rrëzimin e regjimit komunist. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, CIA mendonte lëshimin e broshurave, transmetimet radio për të nxitur rebelim ndaj pushtetit. Një tjetër plan ishte nxitja e dezertimeve në parti, ku disa prej zyrtarëve do u dërgoheshin letra të koduara.

Dhjetor 1955

Përmbledhje e operacioneve dhe plane të përgjithshme për 1956

Gjatë 1955 janë kryer gjashtë operacione lëshime fletushkash e gazetash dhe një numër total prej nëntë fluturimesh në Shqipëri. Rritja e kapacitetit të printimit të shtypshkronjës dhe e mundësisë së fluturimeve ka rezultuar në një rritje të masës së fletushkave dhe artikujve të shpërndarë, megjithëse një vit më parë janë bërë 4 fluturime më shumë. Sipas projekteve OBTEST dhe HTGRUBBY të transmetimeve klandestine, janë bërë aktor transmetime në ditë, në dy frekuenca të ndryshme. Numri i programeve të hartuara në javë ndryshon nga katër gjatë verës në 2 në dimër. Programet përqendrohen në interpretimin e lajmeve nga bota dhe nga vendi, sipas domethënies së tyre për popullin shqiptar. Në 1956 dega do të intensifikojnë programin e fletushkave dhe do të vazhdojë programin e transmetimeve. Programi i propagandës me postë do të vazhdojë i reduktuar.

Realizimi i objektivave

Objektivat e programit shqiptar për 1955 ishin përcaktuar në planin e posaçëm rajonal të Ballkanit dhe kishin objektivat e mëposhtëm: Prishjen e lidhjes së Tiranës me BRSS dhe minimizimin e rëndësisë apo kontributit të Shqipërisë në pozitën rajonale të BRSS, si dhe dëmtimi i regjimit dhe reduktimi i vëmendjes së BRSS nga përdorimi i Shqipërisë për plane agresive, duke sjellë në vëmendje problemet e brendshme të saj. Ato synojnë gjithashtu të promovojnë kushte të favorshme dhe rrjedhimisht arritjen e çlirimit të vendit nga regjimi komunist. Në kushtet aktuale kjo është interpretuar me ruajtjen e shpresës së çlirimit te popullata dhe të interesit të vazhdueshëm të Perëndimit te Shqipëria. Kjo inkurajon gjithashtu një formë të presionit “nga poshtë” dhe rezistencë pasive, në formën e nxitjes së nacionalizimit. Në detyrat kryesore praktike për 1955 përfshihet prodhimi i fletushkave të propagandës për lëshim ajror, si dhe përdorimi i kanaleve ndërkombëtare të postës për shpërndarje materialesh propagande për zyrtarë individualë komunistë. Gjatë këtij viti janë dhënë direktiva më specifike për realizimin e objektivave shqiptare. Sipas këtyre prioriteteve janë kryer gjashtë lëshime fletushkash. Kemi pasur anulime të fluturimeve për arsye teknike, kushteve të këqija të motit, dhe prej eliminimit të disa fluturimeve në netët pa hënë. Gjithashtu zhvillimet e ngjarjeve botërore dhe ato shqiptare kanë ndryshuar planet e teksteve të fletushkave dhe rrjedhimisht kanë vonuar prodhimin e tyre. Theksojmë se në përputhje me qëllimet tona kemi mundur të shtojmë në mënyrë të konsiderueshme peshën e fletushkave të lëshuara, megjithë reduktimin e vogël të numrit të fluturimeve në krahasim me një vit më parë. Një tjetër faktor në avantazhin tonë është moti i keq në vendet e tjera të rajonit, duke bërë të mundur gatishmërinë e avionëve për operacionet shqiptare. Zonat jugore dhe ato bregdetare janë goditur më shumë në 1955 prej popullatës së dendur dhe gjithashtu prej kushteve të këqija të motit në zonat veriore, që na detyroi të anulonin disa operacione.

Hedhja e fletushkave

Një nga planet kryesore të 1955 u ndryshua pasi u vendos se instruksionet për qelizat e rezistencës klandestine dhe të rezistencës pasive, ishin jorealiste për këtë fazë të operacioneve. Por ne u kompensuam për humbjen e këtyre temave me ngjarje të reja si rënia e Malenkov, përulja e udhëheqësve sovjetikë ndaj komunizmit nacionalist të stilit të Titos, nga spastrimet e Jakovës e Spahiut, dhe mbi të gjitha nga tema e ofertës ushqimore të Komitetit Shqipëria e Lirë, refuzimit të saj nga autoritetet dhe rinovimi i saj nga KSHL, te e cila ne vumë theksin më të madh për fushatën e fletushkave në 1955. Këtë vit edhe në raportimet e refugjatëve fushata e fletushkave është cilësuar si faktori kryesor i vendimit për të rrezikuar jetën e tyre duke tentuar të arratisen për në botën e lirë, si dhe për ruajtjen e moralit pozitiv te populli. Një shembull interesant ishte rasti i anëtarëve të familjes Musaj të cilët u inkurajuan për arratisjen e tyre nga historia dhe foto e arratisjes së “Grupit të Kamenicës” në fletushkën e tetorit 1954. Një masë e konsiderueshme informacioni tregon se fletushkat kalojnë nga një dorë në tjetrën fshehtësisht, duke siguruar një shpërndarje edhe më të gjerë në zonat e lëshimit. Refugjatët kanë raportuar se kanë dëshmuar në pritjen e gëzueshme të popullatës për fletushkat dhe artikujt e lëshuar nga ajri, që ka sjellë arritjen e objektivit tonë për rritjen e pakënaqësisë ndaj regjimit komunist. Përballemi aktualisht me problemin për shpërndarje më të gjerë të fletushkave gjatë lëshimit, teksa testimet kanë treguar se në shumicën e rasteve ato kanë tendencë të qëndrojnë në tufa të vogla duke mos u përhapur siç duhet gjatë udhëtimit të tyre drejt tokës. Ky fenomen ndoshta është përgjegjës për faktin se refugjatët kanë raportuar se Sigurimi ka arritur të lokalizojë dhe bllokojë fletushkat pak kohë pas lëshimit. Për këtë arsye në 1955 keni reduktuar masën e blloqeve dhe të fletushkave, për t’i bërë më të vështira për t’u mbledhur me shpejtësi.

Sulmet individuale

Në fushatën e ngacmimeve me postë për autoritetet individuale komuniste kemi bashkëpunuar me degën e KUBARK në Berlin. Kemi hartuar listën e objektivave por kemi nevojë për më shumë të dhëna biografike mbi individët e shënjestruar. Për këtë po shfrytëzojnë kanalet thuajse të lira të postës mes Shqipërisë dhe SHBA. Në një nga rastet, është përdorur mesazhi i padukshëm në letër, i cili ekspozohet në bashkëveprim me dritën. Por deri tani nuk ka pasur rezultate. Progresi i mëtejshëm është penguar nga mungesa e personelit të veçantë për fushatën e letrave me postë. Programi i transmetimeve klandestine ka vazhduar me intensitet, tre herë në ditë në dy frekuenca. Gjatë sezonit veror numri i programeve është më i madh pasi moti është më i favorshëm. Në programacionin e transmetimeve nuk jemi fokusuar në lajmet e zakonshme të Zërit të Amerikës e BBC, por jemi përpjekur të interpretojmë lajmet botërore nga aspekti i interesit të tyre për Shqipërinë. Gjithashtu jemi përpjekur të fokusohemi në aktivitetet e brendshme sipas zhvillimeve të mësuara nga radio-Tirana dhe Zëri i Popullit. Për të evituar efektin dëmtues të zhurmuesve qeveritarë programi i transmetimeve radio është ndryshuar nga fjalimet 2-3 minutëshe me instruksione për popullin, në 10 ose më shumë fjali ose slogane më kompakte. Besojmë se mesazhet më të shkurtra kanë më shumë gjasa për t’u dëgjuar plotësisht. Në tekstet e programit jemi përpjekur të kemi parasysh se shumica e dëgjuesve mund të jenë anëtarë të partisë komunistë që mund të paguajë ose të marrin leje për aparate radio. Fakti që vetë Enver Hoxha dhe Radio-Tirana e kanë sulmuar operacionin tonë në komentet e tyre na jep besim. Në lidhje me cilësinë e transmetimit, besojmë se transmetimet dëgjohen mirë nga marsi deri në tetor. Për fat të keq nuk kemi mudn ësi monitorimi gjatë periudhës së dimrit por me shumë gjasa kapja është më e dobët prej motit të keq. Rreth 1 në tre shqiptarë ka radio në zonat urbane ndërsa në zonat rurale përqindja është më e vogël. Operacionet shqiptare janë kryer gjithmonë në bashkëpunim me organizata dhe agjenci si Zëri Amerikës, Radio Evropa e Lirë, BBC si dhe më organizata të refugjatëve nga ku marren informacione për testet e transmetimit radio. Personeli ka përgatitur gjithashtu fotografi dhe histori reale të njerëzve të arratisur si familja Musaj.

Asetet

Në materialet tona mbështetëse përshihen avionët C-54 dhe B-26. Shtypshkronja është aktualisht duke rritur kapacitetin e saj për të përballuar kërkesat tona për fletushka. Punonjësit e logjistikës bëjnë dhe transportin e fletushkave nga shtypshkronja në magazinë dhe më tej drejt avionëve. Një magazinë e sigurt është siguruar nga dega HTNEIGH që përdoret për marrjen në pyetje të refugjatëve dhe për hartimin e teksteve të programeve të transmetimit. Në magazinë janë dhe aparatet e regjistrimit e monitorimit. Pajisje të tjera rezervë janë paketuar në bagazhe me qëllim zëvendësimin apo riparimin e mjeteve në përdorim. Ne jemi në një mendim se qendrën për intensifikimin e fushatës së fletushkave, rritjen e kapacitetit të shtypshkronjës dhe marrjen e një avioni C-54 të aftë për misione në erëra të forta, ndërsa ndalimi i përhershëm i fluturimeve të natës mbi Shqipëri do të ndalonte të gjithë efektet pozitive të sipërpërmendura. Tematika kryesore e aktivitetit tonë gjatë 1956 duhet të vazhdojë të jetë “presioni nga poshtë”. Ne natyrisht që do të vazhdojmë të përdorim të gjitha informacionet e inteligjencës për reagimet popullore ndaj ofertës ushqimore dhe të medikamenteve. Situata të tjera për t’u shfrytëzuar janë detyrimi i të rinjve për t’u bashkuar në grupet e punës dhe aksionit vullnetar, si dhe studimi i detyruar i gjuhës ruse në shkolla, mungesa e besimit fetar, e lirisë së shtypit dhe e grumbullimit, kolektivizimi i detyruar, shfrytëzimi sovjetik i lëndëve të para vendase. Një objektiv ku do të fokusohemi është dezertimi i anëtarëve të partisë duke i bindur ata se komunizmi ka dështuar si sistem dhe se shkatërrimi i tij është i paevitueshëm. Liria e sigurt dhe siguria ekonomike i pret ata në botën e lirë. Për këtë ne shpresojmë që në të ardhmen të kemi bashkëpunim më të mirë nga pala greke, për përmirësimi të kushteve të refugjatëve dhe rritjen e shanseve të apelit tonë për dezertim. Eksperienca e vitit 1955 tregon se nuk është i thjeshtë parashikimi i titujve dhe i numrit të fletushkave që do të lëshohen gjatë vitit, për arsye të ndryshimit të udhëzimeve, të politikave të fluturimit dhe ngjarjeve në lajmet. Në përgjithësi ne parashikojmë të prodhojmë një fletushkë prej 1 faqe me interpretime të lajmeve të fundit, çdo tre muaj. Megjithëse ne e dimë vlerën e marrjes së lajmeve të fundit nga Shqipëria, ne besojmë se ky tip fletushke është njëfarë luksi në lidhje me kostot dhe rrezikun e fluturimeve. Gjithashtu, megjithëse refugjatët komentojnë pozitivisht mbi operacionin, vetëm pak prej tyre mund të mbanin mend më shumë se një apo dy tema të artikujve në fletushkat e propagandës. Ne mendojmë se fletushka e vogël speciale që ka vetëm një temë kryesore, është më efektive se të tjerat. Prandaj ne shpresojmë të jemi të aftë të prodhojmë të paktën dhjetë fletushka speciale për temën e “presionit nga poshtë”, për dezertimet dhe temat e tjera të sipër-përmendura.

Synimet

Meqënëse vlerësimet për lëshimet e artikujve kanë qenë përgjithësisht pozitive ne kemi akumuluar një sasi prej 6 ton artikuj të vegjël si dhe një numë parashutash, dhe do të vazhdojmë të rrisim sasinë e artikujve të magazinuar. Nuk kemi në plan të blejmë mallra të reja apo paketime automatike për këtë vit, përveç rasteve kur vlerësimet do ta kërkojnë një gjë të tillë. Do t’i kushtojmë më shumë vëmendjeve raportimeve të refugjatëve për reagimet ndaj lëshimive, jo vetëm për të përcaktuar tipin e shpërndarjes që pësojnë artikujt tanë por dhe për të shërbyer si një udhëzues për përmirëismin e fletushkave. Përveç marrjes së hollësishme në pyetje të të gjithë refugjatëve për reagimet ndaj fletushkave dhe programeve radio, ne tashmë do t’u tregojmë atyre kopje të fletushkave të vjetra për të zbuluar preferencat e tyre për këto çështje si për shembull formati, tipi i germave, stili i gjuhës dhe temat e përmbajtja. Ne shpresojmë që qendra të ketë sukses në prokurimin e informacioneve për reagimet ndaj aktiviteteve tona, duke u ndihmuar gjithashtu nga ambasadat italiane e franceze në Tiranë. Qendra na ka inkurajuar ta ndjekin këtë çështje me anë të lidhjeve me autoritetet italiane ose duke marrë vetë në pyetje refugjatët dhe italianët që vijnë nga Shqipëria. Fushata e postës: Planet tona për vitin 1956 bëjnë thirrje për një vazhdim të programit të kufizuar që kryem vitin e kaluar. Ne shpresojmë të përdorim informacionin e mbledhur deri tani mbi individët e shënjestruar, si dhe të përdorim shërbimet e degës KUBARK për t’i postuar ato për llogarinë tonë. Gjithsesi ne besojmë se do të kryhet në një bazë të gjerë dhe jo bazuar në individë të caktuar. Në lidhje me transmetimet radio, megjithë mungesën e reagimeve mbi efektin dhe popullaritetin e transmetimeve, ne besojmë se OBTEST duhet të vazhdojë, ndoshta në nivel të reduktuar, për arsyet e mëposhtme: Sulmi direkt ndaj programeve tona nga Radio-Tirana më 17 dhjetor 1955 dhe raportimet e disa refugjatëve për mundësinë se transmetimet po kthehen në një problem serioz për regjimin komunist dhe se jo-komunistët që kanë aparate i dëgjojnë ato rregullisht.

Propaganda

Numri i aparateve radio në Shqipëri po vazhdon të rritet ndërsa lesimet e fletushkave, për arsyet e përmendura, mund të reduktohet. Monitorimi i inteligjencës së gjindshme tregon se megjithë zhurmuesit qeveritarë programi mund të dëgjohet, të paktën për sezonin nga marsi deri në tetor. Meqenëse për programin e fletushkave nevojiten të paktën një oficer i luftës psikologjike dhe një agjent vendas, kostoja aktuale e vazhdimit të programit të transmetimeve nuk i kalon rreth 2500 dollarë në vit, duke përfshirë të paktën një program të ri në javë. Magazina sekrete nevojitet për prodhimin e fletushkave me ndihmën e agjentit vendas, rroga e të cilit nuk i kalon 2500 dollarë në vit. Edhe nëse transmetimet e programit tonë tjetër nga Greqia vazhdojnë drejt Shqipërisë, ne mund të bëjmë prezantime dhe interpretime të përmbajtjes ndryshe nga QKIVORY. Tematikat kryesore do të jenë për audiencë të përgjithshme, me të njëjtat direktiva për anëtarët komunistë të audiencës, me theks në dezertimin, pakënaqësinë dhe “presionin nga poshtë”, së bashku me zhvillimet në lajmet e brendshme sipas rastit. Ashtu si për programet e tjera, edhe për transmetimet do të bëhen përpjekje për të marrë më shumë reagime prej refugjatëve, apo prej zonave kufitare si ajo Bari-Brindizi në Itali dhe pikat e kufirit greko-shqiptar. Ne shpresojmë që informacione të vlefshme të vijnë nga qendra për përpjekjet e monitorimit dhe reagimet e refugjatëve. Pas një rivlerësimi të operacioneve të 1955 dhe hartimit të planit për 1956, ne do të diskutojmë për operacionet e kalimeve kufitare. Në këtë fazë misionet në Shqipëri kanë si objektiv vendosjen dhe mbështetjen e agjentëve rezidentë në Shqipëri, që të mund të përdoren për çdo qëllim të kërkuar. Shfrytëzimi psikologjik i refugjatëve të zgjedhur: Me anë të lidhjeve me agjenci të ndryshme dhe organizata jo-zyrtare, politike e mediatike, ne kemi në plan të zgjerojmë aktivitetet tona në shfrytëzimin e refugjatëve të zgjedhur, duke ndihmuar rivendosjen e tyre. Nëse emrat e tyre janë të njohur në mediat komuniste atëherë ata janë akoma më të vlefshëm për ne, në faktin që mund të inkurajojnë të tjera dezertime dhe arratisje, duke dëmtuar fushatën aktuale të kundër-dezertimeve që sovjetikët dhe satelitët e tyre po ndjekin aktualisht.


(Kosova Sot)