Stavri Furxhi, mjeku i palodhur dhe me shpirt human

  • 21 May 2017 - 12:56
Stavri Furxhi, mjeku i palodhur dhe me shpirt human

1

Në Fier atë e njohin të gjithë. Të mëdhenj e të vegjël. E njohin si mjek, si intelektual, si bashkëqytetarin  e tyre. E shohin pothuajse çdo ditë në atë ritualin e tij të zakonshëm, ku me çantë në dorë shkon drejt klinikës së tij dhe anasjelltas. Gjithmonë ashtu, me hapin e zakonshëm, trupin e  drejtë dhe me kokën lart, gati për të përshëndetur dashamirësit e shumtë, që me buzëqeshjen dhe vështrimet e tyre e shoqërojnë kudo. Ndërsa koha ecën pa pushuar, ora për të ka mbetur në vend sepse ai nuk di të ndalet. Vijon të punojë me pasionin dhe këmbënguljen e parë, me të cilën nisi misionin human të mjekut këtu e  gjysmë shekulli më parë. Por cili është njeriu i palodhur Stavri Furxhi, biri i këtij qyteti që nuk u shkëput asnjëherë prej tij.

2

Stavri Furxhi lindi në Fier në 10 shtator 1944. Ai u rrit dhe u formua në një familje me origjinë vendase, ku vlerat qytetare dhe tradita ishin bartëse të ndershmërisë, tolerancës, progresit. I ati i tij, Jani, ishte mekaniku i parë në Fier nga duart e arta të të cilit u vu në përdorim centrali i parë elektrik. Familja, kjo njësi bazë e shoqërizimit, ndikoi fuqishëm jo vetëm tek ai, por edhe te fëmijët e tjerë. Në saj të punës dhe përkushtimit ata u bënë të gjithë emra të njohur të fushave të ndryshme. Kujtojmë vëllezërit e tij si: Llambin, mjeshtrin e axhusterisë; Viktorin, specialistin e elektronikës; Andonin dhe Robertin, instrumentistët e njohur;Danielin, ish-basketbollistin dhe shefin e mëvonshëm të Klubit Sportiv Apolonia; Athinaja, motra, ish-Drejtore e Bibliotekës Publike, sot punonjëse e OSBE-së; për të veçuar Josifin, piktorin mozaiçist më të njohur të Shqipërisë, dekoruesin e kishave arbëreshe të Italisë.

Ndërkohë duhet theksuar se edukimi dhe formimi i Stavri Furxhiut, si një i ri me perspektivë u bë në një kohë, kur Fieri po hidhte shtat dhe po krijonte profilin e tij, jo vetëm si qytet industrial, por edhe si qendër e rëndësishme kulturore. Bashkë me qytetin u ‘’rritën’’ edhe një sërë personalitetesh të shkencës, artit dhe kulturës nga më të njohurit dhe të respektuarit në Shqipëri. Midis tyre, në panteonin e figurave të shquara të Fierit, ndeshim edhe emrin e Stavri Furxhi, një intelektuali me kontribute të theksuara në fushën e tij.

Por për të ardhur deri këtu doktor Stavrit iu desh një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Ajo nis me studimet e mesme si ndihmësmjek, në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, në vitin 1962, për të vijuar më pas me studimet e larta. Kështu në vitin 1967, ai, do të diplomohet si ‘’Mjek i Përgjithshëm’’ në Universitetin e Tiranës.

Po këtë vit, Stavri Furxhi, do të angazhohet në spitalin dhe poliklinikën Fier si mjek i përgjithshëm, ndërsa nga viti 1969 e në vazhdim do të punojë si neuropsikiatër jo vetëm pranë këtyre dy institucioneve shëndetësore, por edhe me konsulta të planifikuara dhe urgjenca në rrethet e Beratit dhe të Lushnjës. Duhet theksuar se gjatë kësaj kohe të gjatë, ai do të bëhej një nga mjekët më të shquar, bartës i traditave më të mira të krijuara nga emra të njohur dhe të nderuar të mjekësisë në Fier si: Kostandin Kallogjeri, Thimi Melonashi, Tomi Mita, etj. Si pjesë e kësaj elite ai krijoi profilin e tij, ku u shqua për humanizmin profesional, ndershmërinë, përkushtimin dhe shpirtin e sakrificës në ndihmë dhe dobi të komunitetit.

Krahas punës për mjekimin e sëmundjeve dhe pacientëve të ndryshëm ai do të shërbejë njëkohësisht edhe si anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit Mjeko-Punëtor (1970-1977), anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit të Ekspertizës Mjekësore të Punës së rrethit Fier, Kemp-it, në vitet 1977-2010, sekretar i Këshillit Shkencor të Spitalit Fier (1979-1992), kryetar i Këshillit Mjekësor (1992-2000), si dhe nëndrejtor teknik i këtij spitali në vitet 1995-2000.

Por merita më e madhe e doktor Stavrit është se me aktivitetin e tij si një mjek i palodhur, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe përsosjen e shërbimit neuropsikiatrik në Fier. Ndërkohë që ai nuk është vetëm njeriu që e themeloi këtë shërbim, por hodhi edhe bazat për rritjen, zgjerimin dhe konsolidimin e tij. Kështu, përveçse talentit dhe aftësive profesionale, Stavri Furxhi është shquar jo vetëm si një mjek diagnostikues dhe terapist i aftë, por edhe si një njeri korrekt dhe i përpiktë në kryerjen e angazhimeve të shumta.

‘’Në ato vite kur unë nisa këtë profesion, tregon për ne mjeku i njohur, aparaturat moderne mjekësore që sot lehtësojnë diagnozën nuk ekzistonin. Një gjë e tillë vërtet e vështirësonte vënien e një diagnoze të saktë nga mjeku, por konsultat që ne zhvillonim me kolegët me orë të tëra na mundësuan që të aftësoheshim drejt diagnostikimeve të sakta’’.

Gjatë kohës së gjatë të shërbimit mjekësor, Stavri Furxhi, ka dhënë një ndihmë të çmuar edhe në zhvillimin e institucioneve shëndetësore. Një fakt i tillë është evidentuar në pjesëmarrjet në konsulta të ndryshme,në rolin e tij si nëpunës në institucionet shëndetësore, si dhe në angazhimin në aktivitetet e shumta të karakterit shkencor. Ndërkohë që një kontribut i tillë është vënë re edhe gjatë qëndrimit të tij si një nga drejtuesit e Spitalit Rajonal të Fierit, ku ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e nivelit të shërbimeve.

Ndërkohë që rasti i Stavri Furxhi përbën një shembull të rrallë dhe unik tek i cili janë sintetizuar disa karakteristika dhe cilësi. Të tilla janë profesionalizmi, kultura e përgjithshme dhe ajo profesionale. Si një njeri me virtyte të larta, doktor Stavri, ka patur si moto të vetme të tij vlerësimin e njeriut të thjeshtë. Qëllimi i tij ka qenë që të mos e ushtronte profesionin e mjekut për qëllime përfitimi, por të prirej nga humanizmi ndaj komunitetit në gjirin e të cilit ai jeton dhe kontribuon. Për këto cilësi të tij, janë të shumtë qytetarët fierakë që mund të flasin duke e vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe figurën  e mjekut etalon.

‘’Zotësia e dr. Stavrit në profesionin e tij, ka bërë që të rrëzojë diagnoza dhe mjekime të gabuara duke i kthyer pacientëve buzëqeshjen e jetës. Është fat për fierakët që dr. Stavri vijon të punojë’’, tregon për të një nga miqtë e tij të shumtë, inxhinier Vasil Ndreko.

3

Krahas punës së përditshme si mjek, Stavri Furxhiu, ka ndjekur paralelisht edhe praktikës e të qenit një “student i përhershëm”’. Një shprehje të tillë të figurshme mund ta përdorim për arsyen e thjeshtë, se gjatë gjithë kohës ai ka vijuar me kualifikime dhe specializime të shumta, duke mos ju ndarë asnjëherë studimit dhe librit.

Kjo gjë është e vërtetë, thekson dr. Stavri. Më ka ndodhur dikur një episod i çuditshëm dhe njëkohësisht i bukur për t’u treguar. Ishte viti 2001 dhe sapo dilja nga Konsullata Italiane në Vlorë ku sapo isha pajisur me një vizë studimi për në shtetin fqinj. Isha ftuar në Bolonja për një kualifikim në poliklinikën e njohur Sant’Orsola-Malpighi. Atëherë nuk kishte nisur të aplikohej lëvizja e lirë e njerëzve në vendet e BE-së, sipas sistemit Shengen. Kështu pasaportën time pati mundësinë ta shikonte edhe një qytetar i cili shoqëronte të bijën që sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe do të vijonte universitetin në Romë. Por atij i bëri përshtypje se viza ime ishte e njëjtë edhe me atë të studentëve të tjerë dhe duke gjykuar nga mosha ime e pjekur më pyeti i hutuar dhe me habi.

-Edhe ju, student, në këtë moshë?

-Po, ja ktheva me humor dhe më pas ja shpjegova të vërtetën. Qeshëm të dy dhe më pas pimë nga një kafe aty pranë, përfundon tregimin mjeku i njohur.

Aftësimi profesional ka qenë pjesë e pandarë e aktivitetit të tij shkencor. Mund të përmendim faktin se menjëherë pas përfundimit të studimeve ai do të ndiqte kursin e specializimit pasuniversitar pranë katedrës së neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë. Më pas kreu edhe katër kualifikime dhe specializime të tjera pranë spitaleve dhe klinikave të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kështu, pas një tjetër kualifikimi për gjendjet depresive dhe neurozat, të kryer përsëri pranë të njëjtës katedër në Universitetin e Tiranës, në vitin 1976, dr. Stavri, do të vijojë të tjera kualifikime, si ato në Francë (1994), për elektro-encefalinë; në Portugali (1997), për elektro-encefalinë dixhitale dhe në Itali (2001), për Eco Color Doppler të enëve të qafës.

Po kështu, Stavri Furxhi,ka një aktivitet të gjerë dhe të larmishëm në fushën e studimeve shkencore. Ai ka qenë pjesëmarrës në shumë seminare, sesione, kongrese apo konferenca shkencore të zhvilluara nga katedra universitare, shoqata mjekësore, kompani farmaceutike, etj, në Shqipëri,  Greqi, Itali dhe Portugali. Në sajë të ambicieve intelektuale për t’u thelluar më shumë në të fshehtat e profesionit, ai realizoi në vitin 1986, mbrojtjen e gradës shkencore ‘’Doktor i Shkencave’’, me punimin ‘’Traumat kafkotrunore në rrethin e Fierit gjatë viteve 1972-1982’’, ku udhëheqës shkencor ishte Pr. Dr. Bajram Preza, një nga personalitetet e mjekësisë shqiptare.

Si zotërues i disa gjuhëve të huaja ku mund të përmendim rusishten, greqishten, italishten dhe frëngjishten, ai ka dhënë edhe një kontribut të veçantë edhe në botimet dhe publikimet shkencore.

Dr. Stavri është autor i 24 studimeve dhe referateve të botuara në shtypin e specializuar, si në ‘’Buletinin e shkencave Mjekësore’’, ‘’Shëndetësinë Popullore’’, ‘’Revistën Mjekësore’’, apo në gazetat e përditshme dhe periodike të shtypit shqiptar.

Ndërkohë që ai është dalluar edhe si një qytetar aktiv dhe pjesëmarrës dhe veprimtar në proceset shoqërore. Qysh në fillim të viteve 90-të, Stavri Furxhi, mbështeti lëvizjet progresiste që u bënë promotor i ndryshimeve demokratike dhe hapjes ndaj botës. Kohë më parë ai ndiqte me vëmendje mediat e huaja dhe zotëronte një literaturë të gjerë që vinte nga perëndimi, të cilën me mundime e vinte në shërbim të studentëve dhe të intelektualëve të ndryshëm. Një respekt i tillë për shoqërinë e dijes, bëri që edhe fëmijët t’i orientonte drejt arsimimit perëndimor. Të dy sot jetojnë në Bolonja të Italisë, ku vajza  është mjeke, ndërsa i biri, piktor. Pavarësisht kësaj, ata i ruajnë të forta lidhjet me Shqipërinë dhe vendlindjen.

Edhe sot pavarësisht se ‘’zyrtarisht’’ është pensionist ai bën një jetë profesionale dhe shoqërore aktive. Përveç të qenit si një nga shembujt klasikë që duhen ndjekur nga mjekët e rinj ai nuk lë pas dore edhe kohën e lirë. Shoqëria mes miqve intelektualë, shëtitjet në bregdet dhe biçikleta janë disa pasione të tjera të tij. E ndërsa gjithçka ecën me ritme të shpejta për të koha duket se ka mbetur në vend, sepse ai përpiqet ta sfidojë atë në mënyrën e tij. Ky është profili i Stavri Furxhiut, mjekut të palodhur dhe shembullit të qytetarisë fierake.

(Kosova Sot)