Rrëfimi i mjekut anglez/ E fshehta e sëmundjeve, nga se vuante Ali Pasha

  • 22 May 2017 - 10:42
Rrëfimi i mjekut anglez/ E fshehta e sëmundjeve, nga se vuante Ali Pasha

Henry Hollande është një prej udhëtarëve të rëndësishëm që kaloi nëpër Shqipëri në një moment të rëndësishëm, duke dëshmuar e rrëfyer një pjesë të mistereve mbi personazhet historikë po ashtu edhe ngjarjeve. Përveç natyrës përshkruese me vlerë etnografike, e kulturore, edhe Hollande i bën një skanim antropologjik të pashait të famshëm shqiptar, Ali Pashë Tepelenës, duke qenë në zanat mjek, ky anglez sjell të dhëna të reja, të panjohura mbi botën patologjike e shëndetësore në tërësi të zotëruesit të Jugut.

Libri i Mit’hat Frashërit alias Lumo Skendo është një përmbledhje rigoroze e shumë udhëtarëve që shkelën në Shqipëri në vitet ‘800, duke pasuruar e ndriçuar histori të panjohur për shqiptarët, ndonëse shumë prej tyre nuk njohin botimin edhe në shqip.

 ***

Pas Hobhouse-it do të flasim prapë për një englez, autori i Travels in the Jonian Isles, Albani, Thessaly, Macedonia etc., during the years 1812 and 1813, by Henry Holland.

(Udhëtime në ishujt jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni etj., gjatë viteve 1812 dhe 1813 nga Henri Holland) London, Longaman etc., 1815)

Është një volum në format të madh, të katërciptë, me 552 faqe dhe do figura, shtypur në London, 1815.

Autori flet në krye të veprës së tij pak mbi nisitë Zantë, Kefaloni, Cerigo, Itakë dhe niset për në Shqipëri duke dalë në Prevezë dhe që në fillim bën një përshkrim piktoresk të shqiptarit dhe të veshjes së tij. Një vizitë në rrënimet e Nikopolit për kujtim të luftës në Aktium, pastaj nga Narta dhe Pesë Puset udhëtari ynë arrin në Janine. Duke bërë historinë e tij në Janine, Hollandi nis të na japë një rrëfim mbi vendin që sundon Ali pasha, mbi karakterin e këtij dhe mbi Shqipërinë.

Thotë se mbi Ali pashë Janinën ka mësuar që një shqiptar ka bërë një farë historié me 8 këngë në vjersha mbi të këqijat greke (inrude and intulored Romaic verse), dorëshkrimi i së cilës qenka gati të shtypet në Vjenë me lejen e Ali Pashës; ky shton, nuk sundon gjithë Shqipërinë, por një pjesë të saj. Për Shqipërinë vetë autori mejton se nuk është e drejtë të marrim në kufijtë e saj Akarnaninë dhe Janinën, ashtu si e kanë zakon, po duhet të caktohet me një vijë në veri të qytetit të Janinës, duke marrë brenda Sulin dhe Çamërinë dhe gjer në kufijtë e Malit të Zi.

“Po shton më poshtë autori (faqe 11 5) edhe në Atikë dhe në Moré, ka një shumicë katunde, popullsia e të cilëve shquhet se janë prej origjine shqiptare si prej gjuhe edhe prej zakoneve…”

Pastaj zgjatet mbi qeverinë e Aliut, të ardhurat e tij të përvitshme popullsinë e vendeve nën urdhër të pashait tonë autori e çmon në mes 1 1/2 dhe 2 milionë frymë, domethënë, vëren, baras me popullatën e Skocisë ; nga ky vend mund të dalin 30.000 ushtarë. Të ardhurat e përvitshme prej pasunisë private, çifligë etj., kujtohet se janë 4 milionë grosh d.m.th. 200.000 lira engleze.

Kapitulli VII përshkruan sarajin e Ali pashës në Janine, ku englezi ynë pati të parën pjekje me vezirin, i cili barte në krye një kësulë të lartë në ngjyrë të kaltërt “Mazarin”, me galone prej fille ari, një rrobë të verdhë, të qëndisur tepër dhe bukur; personi i pashait të Janinës i rrëfehet në një pamje fort simpatike, i hollë, i shquar, me një ballë të gjerë që bën përshtypje.

Më të shumtët e talenteve të njeriut këndohen mbi fytyrën e tij, po cilësitë morale nuk mund të zbulohen në këtë mënyrë…” edhe autori shton pesë vjersha të bukura të Byronit. Bisedimi i Aliut i duket me dinjitet dhe plot shpirt, jo si apatia e tyrqve. Të qeshurit e ka, shton autori ynë, të çuditshëm, si një ngërhitje dhe nuk duket fare gjë kurioze kur e dëgjon njeriu herën e parë.

Më poshtë, vjen një përshkrim i qytetit të Janinës dhe të sarajeve të Ali pashës, prej të cilëve autori pëlqen më tepër qoshkun e madh dhe madhështor që është në mëhallat veriore të qytetit.

Në kapitullin që vazhdon (f. l 53), janiniotët i gjykon si më të mirët e grekëve, më të zgjuar, të zot, të mësuar me sjellje dhe rrojtje të mire, sado që gratë e tyre, si gjithë gratë e Lindjes, nuk marrin asnjë edukatë, asnjë arsim, gjë që nuk i ndalon të kenë kandje dhe hollësi.

Midis fëmijëve (kupto: familjeve-red) të krishterë, flet me simpati dhe respekt për Psalidhën, Melën, Sakellarin.

Kapitulli i nëntë, i tërë, i është kushtuar Ali pashës mënyrës së sundimit dhe karakterit të tij. Autori pëlqen gjykimet e pashait, që dëgjon tërë ditën gjyqet e botës. Ngrihet, thotë, më gjashtë të mëngjezit, punon gjer më tetë të mbrëmjes, veç një pushim në mesditë për drekë, pastaj një orë gjumë. Autori ishte pjekur shumë herë me Ali pashën, meqenëse ishte mjek dhe pashai, që në pjekje të parë kishte rrëfyer dëshirën ta konsultojë për shëndetin e tij. Hollandi nuk na thotë ç’sëmundje kishte Aliu dhe na e tregon vetë që do të ndruhet të rrëfejë një të fshehtë të mjeshtërisë; mjafton duke shënuar se vuajtja e Ali pashës qe kronike, e shkaktuar prej moshës dhe prej jetës që bënte dhe jo sëmundje akute. Këtë vizitë të parë mjekësore englezi e bëri me dragomanin (përkthyesin-red) Kolova; po ditën e dytë vajti me mjekun Metaksa, i cili i lehtësoi detyrën delikate se e njihte mire pashanë.

Nga këto pjekje frekuente Hollandi na jep kaniskun (dhuratën- red) e një historié dhe përshkrimi të thellë të personit dhe mënyrave të pashait; po kjo s’na bën të mos regretojmë mungesën e një raporti patologjik të atij që sundonte Janinën: ndoshta ay raport do të na jepte shpjegimin shkencor të karakterit të Aliut, do të kishim në dorë tonë kyçin e pato-psikologjisë së tij. Mbase një ditë do të zbulohen dorëshkrime dhe nota të Hollandit dhe të gjenden shënime më të gjera mbi Alinë.

Udhëtari ynë me një bujurulldi niset nga Janina dhe vizitoi Mecovën, Kallabakën, Larisën, Malin Olimp, Selanikun; së këtejmi, prej deti vete në Zejtun, Kollos dhe Athinë dhe, pasi bën një shëtitje të shpejtë në Greqinë e steresë dhe në Moré, kthehet prapë në Shqipëri, duke dalë në Prevezë.

Ky udhëtim i dytë fillon me kapitullin XXI. Autori thotë se i kishte premtuar Ali

pashës që do të kthehet prapë dhe ta shohë: më sipër na kishte rrëfyer qysh pashaj i propozoi ta mbajë në Janine me çfarë rroge që të donte ose, të pakën, të mbesë motmot pranë tij. Këtë dëshirë Aliu e përsëriti edhe në pjekje të dytë.

Hollandi e pjek Alinë këtë radhë në Prevezë në të mbaruar të dimrit, në fruer 1813. Nga Preveza bën një shëtitje në brigjet e mëngës së Nartës dhe pastaj niset për në Sul me shoqërimin e Tahir Agait, komandant i fortesave të Sulit. Në saraj të Sulit i pret Muhtar Agaj, për të cilin autori përdor këto fraza me lëvdime: “Mouctar aga was a fine looking man, between 50 and 60; of pleasing manners and muchpoliteness”. Tërë në atë faqe 448 na dëften se numri i suljotëve, shqiptarëve, çamëve, nuk kapërxen të 12000-ët,

Përshkrimi i Sulit, i maleve, grykave dhe shkëmbinjve të tij, që Hollandi i tregon si fort piktoreskë, mbush një kapitull të tërë si edhe historia e këtij fisi dhe luftërat me Ali pashën; autori ka kujdes të na thotë se ka bërë disa harta, kroki (sic-red), skica të atij vendi, por i ka humbur më vonë gjithë ato karta.

Nga Suli vete viziton luginën e lumit Kallama dhe Frar në Paramithi dhe rrethinat e saj dhe, duke u kthyer në Janine, sheh mbeturinën e madhe të teatrit, që më vonë Karapanua do ta provonte se është e Dodonës.

Në Janinë gjendesh këtë radhë edhe Muhtar pasha, biri i madh i Aliut, i cili çoi mjekun e tij Koletin dhe thirri udhëtarin englez. Muhtari iu duk më pak i hollë, i këndshëm dhe i tërheqshëm se nga i ati ose i vëllai, Veli pasha; po edhe thuhet se Muhtari është më luftar dhe më i fortë nga trupi se nga i ati dhe vëllezërit e tij.

Ali pasha prapë këtë radhë i propozon Hollandit ta mbajë pranë si mjek; të paktën kërkon ta bindë të qellet (qëndrojë-red) më tepër në Shqipëri, dhe, me këtë qok, i sugjeron një udhëtim në veri të Janinës, gjë që englezi ynë e pranon me gëzim.

Ky udhëtim zgjatet në krye gjer në Tepelenë duke shkuar nga Zica, Zhorovina, Qelvinaqi, Libohova, Gjirokastra, Kardhiqi. Në udhë e sipër autori vëren gjithë ç’i sheh syri: lugina e Dropullit, thotë, është e famshme për duhanin e saj, që shikohet si më i miri i gjithë Shqipërisë; ky vend ka shumë tufe dhensh dhe një popullatë të dendur në 30 qytete pak a shumë të mëdhenj, më afer 100.000 frymë; shtëpitë janë të bukura, rrethuar me portokalle, ullinj, shegë (faqe 484). Nga Gjirokastra (që e çmon me 4000 shtëpi domethënë 20.000 banorë, prej të cilëvet 140 fëmijë ortodoksë) udhëtari shkon në Kardhiq, të cilit i bën historinë tragjike dhe vete fle në Shtëpës, për të arritur në Tepelenë ku gjen Jusuf Arapin, një negër plak, thotë, nëntëdhjetë vjeç, i keq dhe i egër, që ruan thesarin e Ali pashës. Meqenëse e shoqja e vezirit, mëma e Salih beut, ishte në Tepelenë, i huaji udhëtar u shikua si mysafïr i zonjës dhe darka me shtrate për të flejtur, njëzet gjellë dhe çarçafé e jorganë të qëndisur me ar, u çuan prej haremllëkut.

Nga Tepelena merr udhën për në Lopës, Karbunarë, Gradisht (ku viziton gërmadhat e Byllisit), Frakull, Pojan dhe së këej arrin në Vlorë, shëtit minën (minierën-red) e serës në Selenicë dhe fillon të kthehet në Janine me anë të Tepelenës. Hollandi, si dijetar në shkencat natyrale, jep një përshkrim të mire të Selenicës dhe puseve të saj, po mjerisht ky udhëtim i kushtoi një pjesë të madhe të kartërave të tij, harta dhe notât që kishte marrë në Shqipëri i humbi duke vizituar Gradishtën, tek kapërxente Vjosën; letrat qenë në një arkë bashkë me plaçka të tjera.

Para se të niset nga Janina për në Zantë, Hollandi mbrëmjen e 7 prillit piqet për herën e fundit me Ali pashën dhe merr leje prej tij; veziri ishte në këshillë me katër ministra të tij; kjo pjekje nuk zgjati shumë dhe autori ynë bën këtë shënim:

“Padyshim të ndarët tim nuk qe pa një regret (keqardhje-red) që lija këtë njeri, i cili, sidoqë të jetë mënyra e sundimit të tij mbi një popull gjysëm të egër, më kishte interesuar tepër për talentin, bisedimin, sjelljen e hollë dhe baraz të tij në çdo audiencë që pata me të”.

Aliu këtë radhë ngrihet në këmbë e përcjell mysafirin e tij gjer në mes të sallonit dhe e puth në të dy faqet.

Kështu mbaron libra e autorit tonë, në të cilët shtatë pamje të Shqipërisë (mbi 12 që janë të tëra) i japin një interes të veçantë: dy pamje të Janinës, malet prej Aja Gliqisë, saraji i Sulit, kështjella e Gjirokastrës, saraji i Tepelenës dhe shtylla afer Apollonisë.

(Kosova Sot)