Editoriali: Këshillat e dështuara

  • 27 December 2016 - 17:00
Editoriali: Këshillat e dështuara

As ky vit nuk iu ka mjaftuar dy organeve kryesore që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë, për ta kryer punën e tyre, në zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e performancës së gjykatave dhe prokurorive. Një raport monitorues, që u prezantua dje nga shoqëria civile, konfirmon edhe një herë atë, që vazhdimisht e kemi potencuar edhe në faqet e gazetës së përditshme "Kosova Sot", se kupola e drejtësisë kosovare ka dështuar në misionin e vet. Për shkak të paaftësisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për të kryer punën e tyre sipas mandatit ligjor e kushtetues, e kemi këtë situatë kritike në gjykata dhe prokurori.

Si rrjedhojë e kësaj neglizhence, papërgjegjësie dhe jotransparence në të njëjtën kohë, qytetarët përballen me padrejtësi, shkelje të vazhdueshme, diskriminim, gjykime të njëanshme, zvarritje të pafundme. Këshillat në fjalë, në vend që të mobilizoheshin për të lënë ndonjë shenjë pozitive në forcimin e sundimit të ligjit, vazhdojnë të përballen me mungesë të efikasitetit, llogaridhënies dhe integritetit në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Devijimet që janë konstatuar edhe nga monitoruesit janë një skandal më vete për KGJK-në dhe KPK-në, të cilët do të duhej të ishin shembull për zbatimin e ligjit dhe jo model për të kundërtën, duke miratuar rregulla dhe vendime të paligjshme si dhe duke zbatuar praktika dhe standarde të ndryshme.

Mosmiratimi i legjislacionit sekondar pas hyrjes në fuqi të pakos së ligjeve të gjyqësorit është një dështim i pafalshëm i kupolës së drejtë- sisë, sepse kështu ky legjislacion i ri ka mbetur i mangët dhe vështirë i zbatueshëm. Nga ana tjetër, jofunksionalizimi i disa degëve të gjykatave e cenon vendosjen e drejtësisë dhe rëndon mbi qytetarët që nuk kanë kurrfarë faji, por duhet të sorollaten në kërkim të drejtë- sisë. Një dështim tjetër është mosfunksionimi i mekanizmave që janë krijuar sa për sy e faqe dhe mosvlerësimi i performancës së prokurorëve e gjyqtarëve. KGJK-ja e KPK-ja duhet të mbushen mend dhe të punojnë, ose në të kundërtën të japin dorëheqje për t'ua lëshuar vendin atyre që mund t'ia kthejnë shpresën drejtësisë.

(Kosova Sot)