Editoriali: Një ekip uniteti pas dështimit të madh

  • 09 January 2017 - 17:04
 Editoriali: Një ekip uniteti pas dështimit të madh

Kur më shumë se tash, Kosovës nuk i është dashur një frymë uniteti dhe bashkëpunimi, të cilën prej disa vjetësh, saktësisht prej momentit kur në pushtet u betonua Partia Demokratike e Kosovës, nuk e ka. Shteti po sfidohet gjithnjë e më shumë, në të gjitha rrafshet, ndërsa lidershipi aktual duket i pafuqishëm t’u prijë me sukses proceseve të ndjeshme. Raportet me Serbinë janë vetëm njëra fushë e dështimit skandaloz të politikës zyrtare të Republikës së Kosovës. Në sajë të një dialogimi të pabarabartë, ku në njërën anë të tavolinës gjithnjë me shumë dosje ishte pala serbe, kurse në anën tjetër me duar në xhepa pala kosovare, sot qytetarët kosovarë janë të fyer e të poshtëruar, të arrestuar e të pasigurt kur kalojnë kufijtë e vendit të tyre.

Tërë ato vite dialogimi ja çfarë kanë prodhuar-ndalime të padrejta, si në rastin e tashëm të Ramush Haradinajt. Beogradi po tregon se është në gjendje kur të dojë t’i arrestojë çlirimtarët tanë, kurse Prishtina zyrtare çfarë bën? I ka amnistuar qindra e mijëra serbë që kanë vepruar paligjshëm, që dyshohet se kanë bërë krime dhe sot u jep rrogë me paratë e taksapaguesve kosovarë. Nuk ka arritur as edhe një rast të vetëm të krimeve monstruoze të Serbisë gjatë luftës ta adresojë në organet e drejtësisë.

Sot, 17 vjet pas luftës, nuk kemi asnjë dokumentim serioz të krimeve dhe dëmeve të luftës, që i shkaktuan ushtria e paramilitarët serbë. Sot, para botës, po ndodh krimi tjetër, agresori po shfaqet si viktimë, e ata që e pësuan, në fakt, po paraqiten si kriminelë. Këtu kanë faj padyshim liderët e shantazhuar, të paguximshëm, burracakë, që janë në gjendje të komprometohen, që të ruajnë karriget e tyre për të trafikuar sovranitetin, pasuritë publike, e çdo gjë tjetër. Në çdo sektor ka dështim, ka dëshpërim, ka mungesë shprese. Kosova duhet urgjentisht të formojë një ekip uniteti, ku të përfillet mendimi i subjekteve, shoqërisë civile, intelektualëve, për të mos lejuar më nëpërkëmbjen e shtetit.

(Kosova Sot)