Editoriali: Trenin e ndalët, po korrupsionin, zhvatjen, hajninë, padrejtësitë...?

  • 18 January 2017 - 16:59
Editoriali: Trenin e ndalët, po korrupsionin, zhvatjen, hajninë, padrejtësitë...?

Si rrallëherë, politika kosovare, gati e hareshme, e ndihmuar edhe nga euforia e zakonshme e rrjeteve sociale, ku paradite të bëjnë copa-copa, e pasdite të shpallin hero, ka manifestuar "trimëri" e "guxim" me punën e trenit provokativ rus, që vinte nga Beogradi. Liderët filluan të shtyheshin me poza 'Faceboook'-u, deklarata meritokracie, ndërsa sejmenët u hodhën në aksion propagandues. Vetëm presidenti nuk pati nevojë të angazhojë lehësit e tij, sepse ai si një korrespondent i devotshëm lajmërohej sa në një edicion lajmesh, në një emision debatues, kuptohet, për të promovuar veten si "shpëtimtari" i nderit të atdheut. Deri këtu, duket një histori dramatike, me finalen e dëshiruar, edhe pse problemi është i hapur, veriu jashtë kontrolli dhe trenat nuk është se nuk lëvizin lirshëm, pa u kontrolluar fare nga autoritetet kosovare.

Sfida e vërtetë është një tjetër, ajo e pakapërcyeshmja, të cilën pushtetarët duan ta fshehin. Politikanët nuk kanë qejf të flasin për të, sepse gjithnjë dalin përgjegjës, ndikues, shantazhues, shpërdorues, të inkriminuar e të korruptuar, nepotikë e militantë. Kosova ka nevojë ta ndalë një të keqe të madhe, që është degradimi galopant i Republikës në çdo lëmi. Ashtu pra, siç urdhëruat ndalimin e trenit, a mund ta bëni një gjë të tillë për korrupsionin e jashtëzakonshëm në secilin nivel institucional, hajninë e pandalshme të parasë së taksapaguesve kosovarë, zhvatjen e pasurisë publike, padrejtësitë që nuk kanë të ndalur në organet e sundimit të ligjit, ku në të vërtetë po sundohen qytetarët e po amnistohen kriminelët, po e pësojnë të pafajshmit, e po lirohen banditët…A ka dikush në këtë shtet të kapur që mund t'i ndalë këto dukuri rrënuese për të tashmen dhe të ardhmen? Nëse i ndalni këto, sepse vetë jeni përgjegjës, ju që po merrni merita për respektimin në një rast të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës (detyrë ligjore e kushtetuese), atëherë jeni vërtet meritorë, por zor se ndodh kjo me këtë elitë të paskrupullt politike. 

(Kosova Sot)