Editoriali: Prokuroria e sfiduar

  • 19 January 2017 - 17:05
Editoriali: Prokuroria e sfiduar

Kryeprokurori i vendit mblodhi krerët e prokurorive për t'i udhëzuar ata që t'u japin përparësi lëndëve që kanë të bëjnë me aferat korruptive, duke mos harruar edhe moszbardhjen e vrasjeve të personave publikë. Roli i organit të akuzës është tepër i madh në nxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar, personave të inkriminuar dhe në goditjen serioze të mafisë dhe krimit, të politikës së nëntokës dhe pushtetarëve të kompromentuar. Por, përtej fjalëve të bukura është më se e qartë se beteja kundër korrupsionit mbetet e humbur për sa kohë "peshqit e mëdhenj" ia dalin të shpëtojnë pa iu prekur asnjë interes i tyre, ndërsa e pësojnë zakonisht zyrtarë të niveleve të ulëta, për afera minore, që fundja, nuk është se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Prokurorët duhet të jenë në gjendje të merren me rastet e mëdha, siç është afera e PTK-së, e Fabrikës së "Amortizatorëve", e hotelit "Grand", afera "Pronto" e plot të tjera si këto. Nëse Prokuroria e Shtetit është në gjendje të hetojë lidhjet e dyshuara kriminale dhe rrjetet klienteliste të oligarkëve kosovarë të partive, pushtetit, nëntokës dhe mbitokës, atëherë mund të shpresojmë se diçka po lëviz për mirë në fushën e sundimit të ligjit. Një prokurori që merret me raste sa për sy e faqe, sa për t'u thënë ndërkombëtarëve se "ja, ne po e luftojmë krimin e korrupsionin", është e destinuar që të dështojë keq.

Prokurorët, të prirë nga Kryeprokurori i Kosovës, duhet të guxojnë ta ushtrojnë me profesionalizëm dhe nder, me përkushtim dhe kurajë, profesionin e tyre, duke vënë me shpatulla për muri keqbërësit e Kosovës. Deri tash, grupet mafio-politike, të cilat edhe kanë emëruar gjyqtarë dhe prokurorë, janë të paprekshme, por kjo situatë nuk mund të zgjasë pambarimisht. Kosova duhet të dëshmojë se ka kapacitete dhe guxim për t'u përballur me krimin dhe korrupsionin. Nëse nuk e bën këtë drejtësia, perspektiva e Republikës mbetet e errët.

(Kosova Sot)