Editoriali: Abuzimi me pagat

  • 20 January 2017 - 17:20
Editoriali: Abuzimi me pagat

Një projektligj për pagat, që ka nxitur menjëherë reagime në sektorë që mund të preken, është më se i domosdoshëm për administratën publike, institucionet e ndryshme që financohen nga buxheti i Kosovës, agjencitë e pavarura, etj. Për vite të tëra është lejuar një kaos institucional në këtë drejtim, duke krijuar pabarazi, diskriminim në radhët e shërbyesve publikë dhe të gjithë punonjësve që rrogat i marrin nga buxheti i shtetit. Për pozitën e njëjtë ka pasur dallime drastike në pagat e dhëna prej dikasterit në dikaster, prej kompanisë në kompani, prej agjencisë në agjenci.

Duke shfrytëzuar edhe boshllëqet ligjore në këtë drejtim, drejtues institucionesh, agjencish, kompanish publike, ia kanë bërë vetes dhe stafit rrogën sa kanë dashur. Përveç kësaj, ata kanë ndarë bonuse të vazhdueshme, edhe në rastet kur kompania apo institucioni përkatës nuk ka pasur ndonjë performancë të dalluar, ose në rastin më të keq ka punuar me humbje. Duke mos i dhënë llogari askujt, sot situata është alarmante dhe nisma qeveritare për të miratuar një ligj të tillë është për t'u përshëndetur. Vetëm kështu mund t'i jepet fund një abuzimi të madh, që është bërë nga vetë shteti. Është e padrejtë që në vendin tonë, ku rroga mesatare është trekatërqind euro, vetëm një zyrtar, anëtar bordi, etj. të marrë shtesë dyfishin e më shumë të kësaj rroge. Sigurisht, njerëzit duhet të paguhen sipas pozitës dhe kualifikimit, por në përputhje me standardin kosovar.

Disa rroga, që i sheh në ato listat e deklarimeve të pasurive, janë vërtet të palogjikshme për rrethanat tona. Një drejtor paguhet më shumë se kryeministri, një anëtar bordi që s'bën asgjë tërë vitin, merr pagë më tepër se një rektor, e kështu me radhë, janë të shumta abuzimet që janë lejuar në këtë aspekt. Paraja publike duhet menaxhuar me kujdes dhe nikoqirllëk dhe pagat duhet të standardizohen, të harmonizohen, që të shmangen dallimet drastike që edhe sot e kësaj ditë ekzistojnë, falë neglizhencës qeveritare të deritashme. 

 

(Kosova Sot)