Editoriali: Për një qeveri të unitetit kombëtar

  • 30 January 2017 - 16:50
Editoriali: Për një qeveri të unitetit kombëtar

Kosova ka hyrë në një rreth vicioz, e zhytur në krizë politike, me një elitë pushteti që mendon vetëm për t'u pasuruar dhe për ta thelluar sundimin e saj, ndërsa alternativat dalëse janë gjithnjë e më të pakta. Në kushtet kur sytë, edhe të atyre që udhëheqin shtetin, janë të drejtuar nga bota, fuqitë e mëdha, miqtë e Republikës, sidomos nga administrate 'Trump', se si do ta trajtojnë ata Kosovën, bëhet e qartë se ka një zgjidhje të vetme aktualisht, para zgjedhjeve të reja parlamentare. Në mungesë të një konsensusi politik parlamentar, në rrethanat e qeverisjes me dorë të fortë, ku presidenti merr edhe rolin e kryeministrit, si në rastin e bisedës jotransparente me presidentin e Serbisë, radikalin Nikoliq, dorëheqja e kësaj qeverie dhe formimi i një qeverie të unitetit kombë- tar është e domosdoshme. Nëse politikanët që vendosin sot për fatin e shtetit nuk do të arrijnë të adresojnë me urgjencë disa tema të rëndësishme, si Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, riformatimi i dialogut me Serbinë, Republika rrezikon të hyjë në një cikël tensionesh dhe ngjarjesh të paparashikueshme.

Partitë duhet të tejkalojnë barjaktarizmin që i ka karakterizuar gjithnjë, për të menduar pak edhe për fatin e shtetit dhe të popullit që i ka votuar. Një qeveri e këtij formati do ta obligonte edhe Kuvendin, që të zhbllokojë proceset, të nxisë ligjbërjen dhe mbikëqyrjen cilësore të institucioneve. Njëkohësisht, nën mandatin e këtij ekzekutivi të unitetit kombëtar, do të duhej të kryhej reforma në drejtësi, e ngjashme me Shqipërinë, pra Vettingu, si dhe të nxirrej Ligji për dekriminalizimin e politikës dhe institucioneve. 

Kësisoj, do të hynim në një fazë të re, ku të inkriminuarit nuk do të kishin më mundësi të përfshiheshin në jetën publike, të marrin pozita të larta dhe t'i dëmtojnë proceset. Subjektet e mëdha, që e pranojnë se bashkëqeverisja nuk po shkon mirë, do të duhej ta inicionin vetë formimin e qeverisë së re, për unitet kombëtar.

(Kosova Sot)