Editoriali: Degradimi që nuk po ndalet

  • 02 February 2017 - 17:11
Editoriali: Degradimi që nuk po ndalet

Vetëm një klasë politike e papërgjegjshme, pozitë e opozitë, ka mundur ta bëjë këtë degradim të jashtëzakonshëm në vendin tonë. Brenda pak vjetësh, një grup politikanësh kosovarë arritën të fusin nën kontrollin e tyre të plotë gjithçka në këtë vend, në të tre pushtetet dhe në të dy nivelet. Të veshur me kostumin e politikanit, nëpër qeveritë komunale, e sidomos në qeverinë qendrore, këta shpërdorues të demokracisë e shtrinë sundimin mbi institucionet shtetërore, mbi agjencitë e pavarura, mbi kompanitë publike gjithandej. Pa mëshirë, emëruan në bordet drejtuese dhe menaxhmente vasalët e tyre të bindur, lakenjtë e pushtetit, zagarët e liderëve, imoralët dhe analfabetët, të paditurit dhe fundërrinat e shoqërisë.

Kësisoj, rrjeti i ligësive u shtri kudo, duke e mbytur shpresën, duke penguar zhvillimin. Fatkeqësisht, u nënshtruan edhe "intelektualët" , ata që duhej të ishin në ballë të kundërshtimit të sundimit politik e kriminal. Oligarkët e pushtetit i blenë shumicën dhe ua mbyllën gojën. Sot, shumëkush, edhe pse nën zë, pajtohet se kurrë më keq nuk i kemi pasur punët, për shkak të lidershipit e establishmentit të inkriminuar, hesht sepse nuk dëshiron t'ia prishë një komoditet të përkohshëm vetes, një page të mirë, privilegjeve të pamerituara. Kështu, duke soditur rrënimin e Republikës, kemi mbërritur në buzë të greminës, ndërsa ata, përgjegjësit për instalimin e së keqes, as që mërziten për këtë regres të jashtëzakonshëm e të pashembullt.

Mafiozët e pushtetit të lidhur me mafiozët e biznesit të inkriminuar në qeverinë qendrore dhe nëpër qeveritë komunale, që nga kryeqyteti e tutje, i kanë palosur milionat, duke mashtruar e zhvatur qytetarët, pasurinë kombëtare, dhe tash sillen si mbretër, ndërsa popullin e trajtojnë si një turmë të nënshtruar. Demokracia në këtë vend e ka humbur kuptimin në këto rrethana alarmante, ku plot njerëz dëshirën e vetme aktualisht e kanë të ikin nga ky vend i pashpresë dhe i sunduar keq. Nuk mund të ketë sundim të ligjit me këta pushtetarë të pandreqshëm nëpër qeveritë tona, të cilët e meritojnë burgun dhe jo të na udhëheqin. Për qytetarët që po përballen me këtë regjim abuziv është detyrë patriotike, kombëtare e njerëzore, që të paktën të ngrihen në këmbë, për t'ua treguar vendin të gjithë oligarkëve të papërmirësueshëm. Me protesta civile e të padhunshme dhe me alternativa fare të reja duhet të gjinden forca të shëndosha për t’u shkëputur nga kjo forcë e errët që na ka bllokuar perspektivën. 

(Kosova Sot)