Editoriali: Shteti në duart e mafio-oligarkëve

  • 03 February 2017 - 17:06
Editoriali: Shteti në duart e mafio-oligarkëve

Pasiviteti i organeve të rendit dhe të ligjit po na bind gjithnjë e më shumë se në Republikën tonë nuk ka drejtësi, nuk ka barazi para ligjit, nuk ka transparencë institucionale, por ka korrupsion galopant dhe inkriminim të organeve shtetërore dhe mafio-bizneseve të pista, që kanë lidhje klienteliste me pushtetin në qeveritë lokale dhe atë qendrore në Kosovë. Lejimi i monopoleve antikushtetuese dhe antiligjore, rasti i aferave të PTK-së dhe skemat kriminale të rasteve në arbitrazhet ndërkombëtare janë dëshmi tepër tronditëse se në çfarë nivelesh alarmante ka mbërritur mafia e pushtetit dhe ajo biznesore.

Është e qartë se shteti kurrë nuk ka qenë më i kapur, ndërsa shpresa për shkapje është fare e vogël me këtë konfiguracion politik, ku partitë, pozitë e opozitë së bashku, financohen nga mafio-oligarkët e biznesit të kundërligjshëm. Për fat të keq, organet e drejtësisë, të cilat do të duhej të vepronin me urgjencë në pajtim me ligjet e Kushtetutën e vendit, janë shumë pasive dhe nuk janë duke e kryer punën e tyre të detyruar ligjore. Të gjithë e dinë se si janë bërë milionerë njerëzit pa kurrfarë burimesh të ditura të pasurimit, por vetëm duke abuzuar me ligjin dhe me pozitat në pushtet, përmes tenderomanisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, shpërdorimit të detyrës publike. Politikanët kosovarë në përgjithësi mbeten të pazotë për të ofruar alternativa ndryshimi, ndërsa votuesve askush nuk po ua kthen besimin se pushteti një ditë mund të jetë në shërbim të qytetarëve. Institucionet e pavarura nuk funksionojnë si të tilla, bordet mbeten të politizuara, punësimi në sektorin publik bëhet mbi baza partiake dhe nepotike apo më troç puro korruptive. Asgjë nuk funksionon normalisht në Kosovë, ndërsa zyrtarët e lartë shtetërorë vazhdimisht mburren se kemi bërë progres të jashtëzakonshëm.

Republika, sot gjendet në udhëkryq me një mungesë të theksuar vizioni të qeverive kosovare, por edhe me parti të pareformuara në pozitë e opozitë, me krizë të madhe të sundimit të ligjit. Pa bërë një pastrim serioz e freskim të politikës në vend dhe të institucioneve të shtetit , dhe pa iu nënshtruar secili ndaj ligjit, nuk mund të arrihet as shkapja e shtetit, që do t'ia hapte rrugën zhvillimit të vendit. Pa u shkapur shteti nuk shkapet ekonomia dhe nuk ka perspektivë zhvillimore dhe as mirëqenie për qytetarët e vendit.

(Kosova Sot)