Editoriali: Në prag të përvjetorit

  • 11 February 2017 - 17:08
Editoriali: Në prag të përvjetorit

Viti kaloi shpejt dhe ja ku po arrin edhe 17 shkurti, për ta shënuar edhe një përvjetor të Republikës sonë, të ndarë, të bërë pikë e pesë, pa kurrfarë konsensusi politik, nacional, pa ndonjë vizion shpresëdhënës ekonomik dhe, për fat të keq, me drejtësi të katandisur si mos më keq. Të gjithë do të donim të fillonim të flisnim për rezultate pozitive, por aq minore janë arritjet, saqë përballë dështimeve të një- pasnjëshme humbasin thuajse fare. Kosova mbetet një vend gjysmë-autoritar, në duart e oligarkisë politike, ku hendeku shoqëror është bërë tepër i thellë.

Pushtetarët, pakica e privilegjuar në njërën anë, gëzojnë çdo të mirë dhe punën e tyre e kanë orientuar që veç t'i shtojnë benefitet, siç është rasti me pagat e deputetëve ku tentohet edhe një rritje e re. Ndërkohë, pjesa dërrmuese e shoqërisë përballet me ekzistencën. Dalëngadalë, me këtë ritëm dhe këtë mënyrë së qeverisuri, të pamëshirshme ndaj qytetarit, brenda pak vjetësh do të zhduket fare shtresa e mesme. Sot, edhe ai që ka një rrogë jeton në varfëri dhe ky është rezultati i udhëheqjes së këtyre politikanëve të papërmirësueshëm të Kosovës. Kur ua përmend faktet dhe argumentet, shifrat dhe statistikat, bëjnë sikur nuk dëgjojnë dhe gjejnë disa numra mashtrues, për të justifikuar veten. Duhet theksuar sërish se ndonëse vendi ynë ka resurse të bollshme për zhvillim ekonomik, është duke ngecur gjithnjë e më shumë, për shkak të sundimit të oligarkëve. Këta të fundit, si të politikës, por edhe të biznesit të pistë, duan të kenë nën kontroll gjithçka.

Atyre nuk u intereson a shtyhen apo i dështojnë fare projektet e mëdha, investimet serioze. Me rëndësi është t'i mbushin xhepat, bashkë me klanet e tyre të inkriminuara. Kjo garniturë politike është fatkeqësia më e madhe e Kosovës dhe vetë pushtetarët e dinë se kështu është e vërteta. Ata mundohen të fshihen pas perdes, por realiteti është i trishtë në Republikën, që dikur printe me optimizëm. Edhe sot prijmë, por me pesimizëm dhe dëshpërim të madh. 

(Kosova Sot)