Editoriali: "Demokracia" dhe Presidenti

  • 03 March 2017 - 16:59
Editoriali:

Në mesin e shumë reagimeve të ashpra të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të vendit, në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, ishte edhe një status "Facebook"-u, i presidentit të Kosovës, i cili e goditi ashpër presidentin maqedonas, që refuzoi t'ia japë mandatin Zaevit, për shkak të një marrëveshjeje me partitë shqiptarë, që të avancohet statusi i popullatës shqiptare në këtë shtet. Mbrojtja e interesave të shqiptarëve është detyrë dhe e drejtë e çdo personaliteti shtetëror dhe deri këtu është gjithçka në rregull. Por, kur kreu i shtetit flet për shkatërrimin e demokracisë në rrethanat specifike të Maqedonisë nuk mund të mos ia rikujtojmë historinë postelektorale të vitit 2014 dhe ngërçin e krijuar në atë kohë. Si fitues i zgjedhjeve, ish-lideri I Partisë Demokratike të Kosovës, nuk arriti të krijojë shumicën parlamentare për të marrë mandatin nga presidentja Jahjaga, ndërsa në kushte të një demokracie normale, edhe sipas Kushtetutës, të drejtën për t'u mandatuar e kishte blloku i krijuar mes subjekteve të tjera.

Por, duke e shfrytëzuar maksimalisht kapjen e shtetit, të sistemit të drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese, nisma politike e ligjshme dhe legjitime, që mund ta bënte rrotacionin e pushtetit, u bllokua dhe si rrjedhojë, pas gjashtë muajsh bllokadë, mandatarit të dytë, që po mbahet në Francë me një fletë-arrest të Serbisë, nuk iu dha mundësia që ta formojë Qeverinë, kurse në fund edhe me presionin ndërkombë- tar, dy partitë e mëdha u morën vesh dhe ja ku jemi sot, më të stepur se asnjëherë tjetër. Nëse Ivanovi bllokon formimin e qeverisë së Zaevit, e bën këtë për të penguar avancimin e të drejtave të shqiptarëve, kurse në rastin e Kosovës të vitit 2014, bllokada u bë për të mbajtur me çdo kusht presidentin aktual në pushtet, qoftë edhe si zëvendës të rivalit të tij kryesor. Demokracia, për këta lloj liderësh, është thjesht çështje pazari dhe jo parimesh e vlerash. Edhe ky lloj reagimi të bind se kjo kastë pushtetarësh janë demagogë të mëdhenj.  

(Kosova Sot)