Editoriali: Korrupsion endemik

  • 07 March 2017 - 17:02
Editoriali: Korrupsion endemik

Mosluftimi i korrupsionit vazhdon të jetë një brengë e madhe për Kosovën, por edhe një shqetësim që përmendet në raportet ndërkombëtare. Edhe pse Qeveria e dy partive të mëdha kosovare, PDK-së dhe LDK-së, mburret se nuk ka afera korruptive, kjo gjë kontestohet së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që ka evidencuar nivelin e lartë të korrupsionit brenda Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2016, të cilin e ka quajtur "korrupsion endemik". Përmes një raporti të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit - Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë është potencuar se niveli i lartë i korrupsionit nuk është evidencuar vetëm brenda Qeverisë, por edhe në sektorin privat. Lidhjet mafio-politike dhe rrjetet oligarkike të disa bizneseve monopoliste të përkëdhelura nga pushteti janë denoncuar vazhdimisht në të përditshmen tonë apo në ndonjë media tjetër që ka mbetur e pavarur, por organet kompetente nuk janë duke vepruar.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i cilëson të paefektshme përpjekjet për luftimin e korrupsionit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të tjera të shtetit. Asnjë zyrtar i lartë kosovar nuk ka bërë komente në lidhje me këtë shuplakë të radhës të Qeverisë amerikane. Vetëm presidenti i vendit është munduar të kamuflojë diçka përmes një reagimi, ku qëllimshëm e huq fare kontekstin e raportit, duke u marrë me dhunën në Kuvend, që e nxiti opozita për shkak të dy marrëveshjeve jotransparente dhe të dëmshme për shtetinDemarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Institucionet kosovare nganjëherë dalin me disa shifra konfuze, por ajo që konfirmohet edhe nga SHBA-ja është se korrupsioni endemik në Qeveri dhe në sektorin privat u shoqërua me mungesën e dënimit për vepra korruptive, e që mbeti një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut. Mekanizmat antikorrupsion vetëm e kanë bërë më të komplikuar luftimin e korrupsionit, ndërsa mbetja në pushtet e garniturë së njëjtë e bën të pamundur që Kosova të tregojë rezultate në këtë drejtim. 

(Kosova Sot)