Editoriali: Një aventurë e rrezikshme e Presidentit

  • 09 March 2017 - 16:59
Editoriali: Një aventurë e rrezikshme e Presidentit

I gjithëpushtetshmi, që deri dje thirrej çdo sekondë në partneritetin e fuqishëm me SHBA-në, BE-në dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës dhe ua nxirrte sytë, secilit që e kontestonte atë, papritur, brenda pak ditësh, është shndërruar në autorin e një sipërmarrjeje të pakoordinuar, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleanca Veriatlantike e kanë bërë të qartë se procedimi i njëanshëm i Ligjit për FSK-në, duke anashkaluar ndryshimet kushtetuese, do të çojë në rishikimin e marrëdhënieve me autoritetet kosovare në sektorin e sigurisë mes Kosovës, kreut të Republikës nuk i ka bërë aspak përshtypje ky qëndrim i ashpër i qendrave të vendosjes. Gjithashtu, as Kryesisë së Kuvendit nuk i ka interesuar reagimi i SHBA-së dhe NATO-s, por e ka proceduar në Qeveri projektligjin e iniciuar nga presidenti i vendit. Është më se e qartë se qytetarët kosovarë e duan sa më parë ushtrinë e tyre, si element forcues dhe atribut i shtetësisë, si garanci e paqes dhe stabilitetit, por të hedhësh hapa në kundërshtim me Uashingtonin dhe Aleancën më të fuqishme ushtarake në botë duket një ide e gabuar dhe tepër e rrezikshme.

Por, përse mund ta ketë bërë Thaçi një gjë të tillë? Të qenët protagonist, edhe kur nuk ka për çfarë ta bëjë protagonizmin, është në lëkurën e tij prej politikani tashmë të rryer, në rrethana të ndryshme, ku ka arritur të bëjë gjithfarë akrobacionesh, duke lëshuar rrënjë në pushtetin e kriminalizuar, veçmas prej partisë së tij. Një barrë e rëndë është për presidentin Gjykata Speciale, që do të ngrejë aktakuza për krime lufte, kundër ish-krerëve të UÇKsë, bazuar në një raport të Dik Martit, që e përmend edhe Thaçin si të përfshirë në aktivitete kriminale, si udhëheqës të grupit të Drenicës. Koha për aktakuzat e para po afron, ndërsa Kosova befasisht, nëse Kuvendi i shkon deri në fund nismës presidenciale, rrezikon të konfrontohet me SHBA-në dhe NATO-n, ata që na ndihmuan të fitojmë lirinë dhe pavarësinë! Dikush duhet t'i thotë STOP kësaj marrëzie!

(Kosova Sot)