Editoriali: Rezolutë për të mbrojtur dinjitetin

  • 10 March 2017 - 17:28
Editoriali: Rezolutë për të mbrojtur dinjitetin

Kuvendi i Kosovës, ndonëse me vonesë reagoi më në fund, në lidhje me ndalimin e padrejtë, që po i bëhet ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, në Kolmar të Francës, mbi bazën e një fletë- arresti të Serbisë për krime lufte. Lideri i AAK-së është gjykuar dhe rigjykuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte dhe nuk i është shmangur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë ndërkombëtare.

Megjithatë, ky fakt nuk është se ka ndikuar tek autoritetet franceze, të cilat deri pas zgjedhjeve në Serbi nuk do të dalin me një vendim përfundimtar, nëse do ta ekstradojnë Haradinajn në Serbi apo do ta lirojnë, për t'u kthyer në Kosovë. Bashkimi Evropian, që dje pati një reagim të menjëhershëm për të mos lejuar pezullimin eventual të dialogut, nuk duket se ka shfaqur ndonjë shqetësim deri tani as për rastin 'Haradinaj', por në përgjithësi për të gjitha urdhër-arrestet e Serbisë, të cilat qarkullojnë në zyrat e Interpolit që nga koha e regjimit të Milosheviqit dhe sa herë aktivizohen, mund të ketë pasoja për qytetarët kosovarë, për personalitetet politike, zyrtarët etj.

Rezoluta e Kuvendit është hapi konkret që ka mundur të ndërmarrë legjislativi kosovar, për t'i dëshmuar Serbisë fuqinë shtetërore dhe për të dalë nga inferioriteti, ku e kishte futur vendin përfaqësimi joserioz në procesin e Brukselit, ku janë pranuar marrëveshje në dëm të sovranitetit të Kosovës, siç është rasti me Asociacionin e komunave. Republika jonë, krerët e shtetit, duhet të mësohen të veprojnë edhe në mbrojtje të dinjitetit shtetëror e të mos lejojnë të nënç- mohen. Është e patolerueshme që të dialogohet me Serbinë, për të synuar normalizimin e marrëdhënieve, e në anën tjetër të heshten provokime dhe ngjarje që tensionojnë raportet dypalëshe, siç është ndalimi i Haradinajt. BE-ja nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta, por të jetë i drejtë në raport me Kosovën dhe Serbinë, duke vepruar me vendosmëri, për të shmangur pengesat që nxisin destabilitet, siç janë fletë-arrestet absurde të organeve serbe.

(Kosova Sot)