Editoriali: Heronj dhe tradhtarë

  • 14 March 2017 - 17:08
Editoriali: Heronj dhe tradhtarë

I dyshuari kryesor për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, Murat Jashari, e ka pranuar krimin, duke treguar se grupi që ai e përfaqëson këtë veprim e bën kundër tradhtarëve. Akti kriminal është gjithnjë i dënueshëm dhe cenim i veprimtarisë së një avokati, pavarësisht të kaluarës së tij. Në anën tjetër, plagosja e Vllasit është bërë lajm menjëherë në mediat ndërkombëtare, duke e nxjerrë kështu sërish Kosovën si një top-lajm negativ. Ky incident i rëndë rihap edhe një herë debatin e kamotshëm - tradhtarë apo heronj, që zakonisht zhvillohet në ekrane televizive, në polemika që bëhen në shtypin e përditshëm ose në valë komentesh në rrjetet sociale. Mund të imagjinohet se çfarë do të ndodhte nëse fillon qërimi i hesapeve ndërmjet "të mirëve" dhe "të këqijve". Në një vend ku sundimi i ligjit është vetëm një fjalë e kotë, terreni është më i përshtatshëm se kurrë për të ndërmarrë veprime të tilla kriminale, që do të rrezikonin stabilitetin e Kosovës. Ngjarja e djeshme mund të jetë një rast i izoluar, por duke e ditur se ky vit është vit i tronditjeve të mëdha, sidomos kur dihet se është funksionalizuar Gjykata Speciale, nuk mund të merret e shkëputur tërësisht nga konteksti. Pra, incidentet, të cilat edhe mund të shpeshtohen, duket se kanë për qëllim ta destabilizojnë shtetin dhe debatet për heronjtë dhe tradhtarët mund të bëhen edhe më kërcënuese. Politika kosovare ka përgjegjësinë e saj, që nuk arriti të bëjë një ligj për dekriminalizimin dhe të hapë dosjet. Aty shihet se kush ishte tradhtar dhe ku ishin në fakt heronjtë. Si çdo vend, që ka kaluar në regjime moniste, edhe Kosova i ka sigurisht spiunët, tradhtarët dhe heronjtë e saj. Por, duhet me fakte dhe me argumente, me ligje dhe me rregulla, me procese gjyqësore të drejta, të dëshmohet fajësia apo pafajësia e secilit. Me vetëgjyqësi, me atentate, me plumba dhe bomba, ka vetëm destabilitet. Dikujt, si duket, në këtë vend po i konvenon kjo situatë. 

(Kosova Sot)