Editoriali: Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë!

  • 03 April 2017 - 17:30
Editoriali: Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë!

Qeveria kosovare e vazhdoi traditën e keqe të lejimit të zgjedhjeve të shtetit fqinj edhe në territorin e vendit tonë, me arsyetimin për shkak të shtetësisë së dyfishtë, që serbët lokalë të mos lodhen për të shkuar në qendrat e votimit në Serbi, por t'u mundësohet votimi në Republikën e Kosovës, të cilën ata e refuzojnë ta pranojnë. Pafuqia institucionale për të mos lejuar këtë veprim antikushtetues dëshmon edhe një herë se shteti ynë nuk ka arritur të konsolidohet dhe vazhdon të jetë i pavendosur kur është fjala për cenimin e integritetit territorial dhe sovranitetit nga Serbia. Me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në vendin tonë, i vetmi autoritet ligjor e kushtetues që mund të organizojë zgjedhje është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por jo KQZ-ja e Beogradit.

Gjithsesi, pa shumë zhurmë, për shkak të një historie të përsëritur tashmë, Serbia, me ndihmën e OSBE-së dhe mbylljen e syve të Qeverisë së stërkequr kosovare, ua mundësoi bashkëkombësve të vet hedhjen e votës në qendrat e votimit të hapura në territorin e Republikës sonë. Problemi kryesor i lejimit të këtyre zgjedhjeve të një shteti fqinj në hapësirën tonë është se votuesit serbë, në vend që të shkojnë drejt pranimit të realitetit të ri, largohen edhe më tepër nga pranimi i Republikës së Kosovës. Duke ua mundësuar që të votojnë për liderët e Serbisë, Qeveria jonë ua mundësoi që ata të vazhdojnë t'i varin shpresat te politika zyrtare e Beogradit dhe vendimmarrjen për fatet e tyre ta mbajnë të lidhur pikërisht me të zgjedhurit atje. Nëse autoritetet kosovare do të ishin treguar të vendosura, në respektim e zbatim të ligjeve e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për të mos lejuar një shkelje të tillë flagrante të legjislacionit dhe kushtetutshmërisë sonë, edhe vetë serbët do të ishin bindur se gjërat kanë ndryshuar dhe ndryshe nuk shkon. Por, me episodin e radhës të kësaj të diele, ata sigurisht janë bindur edhe më shumë për të kundërtën e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe kjo e vështirëson edhe më shumë integrimin e tyre në jetën institucionale, politike, shoqërore, ekonomike, sociale të Republikës së Kosovës.