Editoriali: Për idealin e mashtruesve

  • 05 April 2017 - 17:10
Editoriali: Për idealin e mashtruesve

Sa më tepër përmenden zgjedhjet e parakohshme, aq më të zëshëm bëhen politikanët, sidomos ata më të vjetrit, veteranët e politikës kosovare. Disa prej tyre kanë lëshuar rrënjë në parti e në Kuvend, në krye të subjekteve e në udhëheqje të institucioneve. Herë në Qeveri, herë në kompani publike, herë në Kuvend e herë në ambasada. Të kudogjendurit, të cilët kanë paluar tashmë miliona në bazë të luksit, të cilin edhe nuk ngurrojnë shpesh ta publikojnë në rrjetet sociale apo intervista të ndryshme, janë të gatshëm të "sakrifikojnë" përsëri për elektoratin. Nëntokë apo mbitokë, bëmat e tyre janë të njohura për opinionin publik, duke nisur nga afera "Pronto" e shumë skandale të tjera, që kanë tronditur Kosovën viteve të fundit. Sidomos krerët e partive të mëdha janë të dalluar në këtë drejtim, për të mashtruar sërish votuesit e tyre. Edhe pse u premtuan në zgjedhjet e fundit: punë dhe mirëqenie, shëndetësi dhe arsim cilësor, ambient më të mirë biznesi dhe sundim të ligjit, fare pak bënë në praktikë. Por, pushtetarëve kosovarë nuk u dridhet syri, kur gënjejnë përsëri para popullit të lodhur me mashtrimet e tyre. Pasi nuk ka ndonjë mekanizëm efikas, që mund t'i nxirrte ata nga loja, kjo garniturë politike mbetet në qarkullim edhe për një kohë. Dallimi me opozitën është se kjo e fundit nuk ndodhet në pushtet ekzekutiv, por synimet i kanë të përbashkëta. Ideali i tyre është sa më shumë euro në xhepat e oligarkëve dhe të rrjeteve që përfaqësojnë. Gabohet ai qytetar që shpreson se me këtë mënyrë të politikëbërjes aktuale mund të ndryshohet diçka. Të gjithë do të donin të hipnin diku, në jaht, në limuzinë, në aeroplan, etj. Me rëndësi, të mos e fusin dorën në xhep, sepse xhepi i shtetit është i madh sa të duash dhe mund ta zhvatin pambarimisht. Për sa kohë nuk ka drejtësi, kështu do të ndodhë, ndërsa politikanët paturpësisht zotohen se do ta bëjnë jetën në Kosovë - fushë me lule!

(Kosova Sot)