Editoriali: Gojëmbyllur para skandalit

  • 06 April 2017 - 16:59
Editoriali: Gojëmbyllur para skandalit

Dënimi i PTK-së nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ua ka mbyllur gojën institucioneve shtetërore. As kompania publike, as Bordi, as Ministria përkatëse, as Qeveria, as Prokuroria, askush nuk dëshiron të flasë për këtë rast. PTK-ja, e cila nuk ka pasur çfarë dividendi të dorëzojë te aksionari-Qeveria e Kosovës, për shkak të rënies së të hyrave, tani përballet me një situatë tepër të rëndë, që mund ta çojë edhe drejt falimentimit. Se ku do t'i gjejë kjo kompani publike, e mbingarkuar me punëtorë, 30 milionë euro për Devollët grabitës, është krejtësisht e paqartë sot. Qeveria po hesht, ndërsa organet e drejtësisë do të duhej të nisnin menjëherë hetimet tepër serioze, për të nxjerrë të vërtetën e plotë në shesh.

Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për gabimet me shkelje të ligjit, që janë bërë qysh në nënshkrimin me skema mafioze me operatorin virtual të inkriminuar, e deri në moszbatimin e marrëveshjes së kriminalizuar. PTK-ja, kështu, po merr goditjen më të fortë dhe dyshimet se e tëra kjo mund të jetë një skemë mafioze e kurdisur dhe skenar i sofistikuar, po ashtu i kurdisur paraprakisht, nuk janë fare për t'u injoruar! PTK-ja është pasuri publike e shtetit, por e shpërdoruar në maksimum nga pushteti i inkriminuar. Janë vlera shumë qindra milionëshe që kanë qarkulluar në këtë kompani, ku zakonisht të punësuarit kanë qenë familjarë,miq, klientelë e politikanëve mafiozë dhe e rrjeteve të tyre të inkriminuara e klienteliste.

Tash, kur interesat kanë ndryshuar dhe afarizmi i PTK-së nuk po i bën ballë ecjes së shpejtë teknologjike dhe konkurrencës, ka lëvizur edhe interesi i oligarkëve të shtetit, në raport me PTK-në. Këtyre të fundit u intereson vetëm rënia e madhe e vlerës dhe mundësisht ta nxjerrin në treg me sa më pak shpenzime për blerësin eventual. E, një blerës potencial dhe i pashmangshëm për pak para do të ishin vetë sunduesit e Kosovës, të cilëve as ky privatizim, që ka dështuar dy herë, nuk mund t'u dalë nga duart aq lehtë. Kjo skemë mafioze e kërcënuese do të duhej të binte shumë shpejt në syrin e drejtësisë, por kjo e fundit, duket se as që po mërzitet për këtë skandal kriminal të radhës. Prokuroria do të duhej të hetonte, ndërsa Kuvendi shumë seriozisht të diskutonte në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, po patën vullnetin dhe guximin. As njëra, as tjetri, tani nuk po guxojnë as t'i flasin dy-tri fjalë!

(Kosova Sot)