Editoriali: Rreziku vjen prej politikanëve të tillë

  • 17 April 2017 - 17:11
Editoriali: Rreziku vjen prej politikanëve të tillë

Krerët e institucioneve kosovare e alarmuan opinionin për mundësinë e sulmeve me rastin e Festës së Pashkëve, duke shkaktuar edhe huti të panevojshme. Një incident ndodhi kur një serb sulmoi një xhami në Llabjan, por, ashtu siç edhe nuk besonte askush, nuk ngjau asgjë tjetër. Ky panik, që u përhap ditët e fundit, nuk i shërben aspak stabilitetit dhe ishte e paarsyeshme mënyra se si zyrtarët e lartë kosovarë u shprehën në publik, duke shkaktuar frikë te njerëzit. Në fakt, pasiguria më e madhe për qytetarët kosovarë e ka burimin te vetë politika aktuale.

Politikanët janë ata që me veprimet e tyre të papërgjegjshme shkaktojnë telashe të jashtëzakonshme, krijojnë tensione, nxisin konflikte, pastaj për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet që vetë i prodhojnë përhapin gjithfarë spekulimesh. Siguria nuk është një koncept abstrakt, por shumë konkret. Kur flasim për sigurinë njerë- zore në Kosovë, duhet të kemi parasysh abuzimin e shtetit me individin në shumë rrafshe. Sot je i pasigurt nëse përballesh me sistemin e kalbur të drejtë- sisë, je i pasigurt për shkollimin që ofrohet në këtë vend, je i pasigurt nëse sëmuresh dhe përfundon në spital, je i pasigurt për ushqimin që konsumon, kryesisht i ardhur nga importi, je i pasigurt kur bën biznes, etj., etj. Me pak fjalë, jeta në Kosovë, edhe pse janë të gjitha mundësitë për të qenë ndryshe, aktualisht është e pasigurt.

Të rinjtë nuk kanë perspektivë dhe e ardhmja është e dyshimtë nëse nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në mënyrën se si udhëhiqet shteti ynë. Politikanët që udhëheqin Kosovën që prej pasluftës mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto pasiguri, sepse nuk kanë arritur t'i adresojnë asnjërën prej tyre. Për këtë arsye, sot nuk kemi sundim të ligjit, nuk kemi ekonomi të mirëfilltë të tregut të lirë, nuk kemi arsim cilësor dhe shëndetësi në nivel. Me këtë kastë politike, pasiguria vetëm do të thellohet dhe alarmet për sulme mund të bëhen të zakonshme. 

(Kosova Sot)