Editoriali: Referendumi, një e drejtë e mohuar në Republikën e kapur

  • 18 April 2017 - 17:15
Editoriali: Referendumi, një e drejtë e mohuar në Republikën e kapur

Referendumi për ndryshime kushtetuese në Turqi ka nxitur reagime të shumtë dhe ka tërhequr vëmendjen edhe të opinionit tonë publik. Mjafton të shohësh reagimet e panumërta në rrjetet sociale, për të krijuar një ide se sa është përcjellë votimi popullor në vendin që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, konsiderohet si partner dhe, nga ana tjetër, ka raporte të ngushta ekonomike me Republikën tonë. Fitorja e ngushtë në këtë referendum pritet t'ia forcojë pushtetin presidentit Erdogan, që shihet si një "sulltan" i kohëve moderne nga demokracitë perëndimore.

Por, përtej debatit për sulltanizimin e Turqisë, ku ashtu siç ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe cenim të demokracisë, ka edhe rritje të madhe ekonomike, ka mbetur jashtë vëmendjes një fakt që mund t'i interesojë qytetarit kosovar. Të paktën, turqit, edhe pse nën sundimin e Edoganit, e patën mundësinë të shpreheshin përmes një referendum. Në Republikën tonë, të sunduar nga një grusht politikanësh, të dyshuar edhe për lidhjet mafio-oligarkike, populli nuk e gëzon të drejtën e referendumit, as për çështje të rëndësishme për fatin e shtetit, siç mund të jetë Demarkacioni, Asociacioni, Ushtria etj, etj. Referendumi është një rrugëdalje e mirë, sidomos në raste të krizave, për t'ia kthyer vendimmarrjen zgjedhësve, kur të zgjedhurit nuk arrijnë të merren vesh për tema të ndjeshme, siç janë temat e sipërpërmendura, që mbajnë peng vendin për një kohë të gjatë.

Politikanëve aktualë, që në vend që ta qeverisin e ta sundojnë aktualisht Kosovën, nuk u intereson që qytetarëve t'u mundë- sohet një e drejtë e tillë, sepse planet zhvatëse të oligarkëve do të dështonin në shumë raste, nëse popullit i jepet mundësia të vendosë përmes votës në referendum. Vendet demokratike e kanë këtë mundësi, ndërsa shteti ynë, që aspiron të jetë pjesë e botës demokratike, ende nuk e ka. Referendumi duhet të përfshihet në Kushtetutë dhe popullit t'i mundësohet realizimi i demokracisë direkte në çështje kyçe për të tashmen e të ardhmen. 

(Kosova Sot)