Editoriali: Demarkacioni

  • 22 April 2017 - 16:54
Editoriali: Demarkacioni

Kryeministri i vendit dhe lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës po përpiqet ta nxjerrë nga agjenda parlamentare, të paktën, edhe për një kohë marrëveshjen për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke paraqitur kërkesën në Bruksel, që të pezullohet ky kriter për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në parim, kjo është një kërkesë e drejtë, sepse nuk duhet të mbahen të izoluar kosovarët, për shkak të një marrëveshjeje, e cila po has në kundërshtime nga të gjitha anët. Por, nëse e kemi parasysh edhe presionin që po bëhet së fundmi nga PDK-ja, partneri i Mustafës në koalicionin qeverisës, që Demarkacioni të hidhet për votim në Kuvend jo më larg se javën në vijim, bëhet e qartë arsyeja e udhëtimit të kryeministrit në Bruksel gjatë javës së ardhshme dhe parashtrimit prej tij të kërkesës për pezullim të kriterit të mbetur për heqjen e vizave. Nëse marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi del në votim javën tjetër, është më se e pritshme që të dështojë, sepse kundërshtimet në radhët e koalicionit janë evidente. Dy të tretat e votave nuk janë aspak të sigurta dhe një dështim i tillë do të thotë praktikisht fundi i koalicionit PDK-LDK. Dy liderët e këtij koalicioni, kryeministri dhe kryeparlamentari, e kanë bërë të qartë se nëse nuk arrin Kuvendi të marrë vendime të mëdha, atëherë nuk ka më arsye që të vazhdojë kjo legjislaturë. Si rrjedhojë, përpjekja e Mustafës për ta hequr përkohësisht Demarkacionin, është shpresa e vetme për të, që t'ia zgjatë jetën Qeverisë aktuale dhe të shmangë kështu zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Natyrisht, edhe në rastin më të mirë, nëse Brukseli ka mirëkuptim, apo eventualisht ka një pakt paraprak, që të ndodhë kështu, të pezullohet Demarkacioni dhe të liberalizohen vizat, asgjë nuk është e sigurt më me PDK-në e uritur që ta rifitojë pozitën e kryeministrit. E uritur është edhe opozita, e cila nuk po zgjedh mjetet për të marrë pushtetin. E tëra, me pak fjalë, është luftë për pushtet dhe aspak në interes të qytetarëve kosovarë, të cilët vazhdojnë të mbesin të izoluarit e rajonit. 

(Kosova Sot)