Editoriali: Drejt zgjedhjeve po, por sa të sigurta janë votat?!

  • 25 April 2017 - 17:11
Editoriali: Drejt zgjedhjeve po, por sa të sigurta janë votat?!

Opozita në Shqipëri po këmbëngul në krijimin e një qeverie teknike, që do të garantonte zgjedhje të lira, ndërsa në shenjë proteste ndaj mospërgjigjes së pushtetit, dje ka bllokuar edhe disa rrugë kombëtare. Forcimi i oligarkisë politike dhe biznesore, në partneritet të fuqishëm me bandat kriminale që bëjnë biznes shumëmilionësh me drogën, trafiqet, tenderomaninë, etj., e ka klientelizuar edhe votën e shqiptarëve. Frika nga blerja e zgjedhjeve po e thellon krizë në Shqipëri, ku për herë të parë votimet mund të mbahen pa pjesëmarrjen e opozitës, gjë që do ta dërrmonte demokracinë e brishtë të këtij vendi. Ndërkohë, që situata vetëm po shënon momente eskalimi dhe dialogu politik është bllokuar, në Kosovë zërat për zgjedhje të parakohshme sa vijnë e shtohen. Koalicioni nuk ka qenë kurrë më i paqëndrueshëm dhe duket se fare pak ditë na ndajnë nga një rënie e mundshme e Qeverisë. Por, çfarë garancish ka për qytetarët tanë, në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme në një periudhën 45 ditore nga shpërndarja e Parlamentit? Sa e sigurt do të jetë vota e tyre? Në Republikën e kapur, më e kapura në fakt është vota, ajo që përcakton kursin e ardhshëm politik, vazhdimësinë e qeverisjes së njëjtë, apo rrotacionin e pushtetit. Nuk është kurrfarë sekreti se biznesi me votat është i hapur, në forma nga më të ndryshmet. Politikanët korruptojnë elektoratin përmes punësimeve nepotike, pa kritere, joligjore, përmes CASH-it, ndërsa në raste më sociale edhe me thasë me miell, mbushje telefoni etj. Nëse Kosova shkon në zgjedhje parlamentare, me sistemin e njëjtë dhe dukuritë negative të përsëritura, ka fare pak shpresa për një pushtet legjitim dhe efikas. Politikanët e korruptuar do të bëjnë çmos ta blejnë çdo votë të mundshme qoftë direkt, qoftë përmes komisionerëve. Beteja e vërtetë e partive do të duhej të ishte për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por duket se askujt nuk i intereson një gjë e tillë. 

(Kosova Sot)