Editoriali: Të vret natën, të qan ditën

  • 03 May 2017 - 17:15
Editoriali: Të vret natën, të qan ditën

Tre maji është Dita e Botërore e Lirisë së Shtypit, një rast i mirë për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit, si edhe për të vlerësuar lirinë e medieve, për t'i mbrojtur ato nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre. Kjo ditë, do të duhej të shërbente për Qeverinë, si shtytje për të përmirësuar ambientin e cenuar të kësaj lirie e jo për ta bërë të kundërtën, siç ka ndodhur sidomos javët e fundit në Kosovë me nismën skandaloze të Ministrisë së Drejtësisë për amendamentimin e Kodit Penal. Debati për nenet e kontestuara, që u propozuan nga Ministria e Drejtësisë, që të përfshihen në Kodin e ri Penal, e detyroi këtë dikaster të udhëhequr prej PDK-së në tri mandate rresht që të tërhiqej.

Kriminalizimi i fyerjes dhe shpifjes, që aktualisht trajtohen te rastet civile, rrezikonte seriozisht gazetarët, por jo vetëm ata. Sipas ndryshimeve të propozuara, secili person që fliste kundër presidentit apo ndonjë figure tjetër të lartë shtetërore, dhe shprehja e tij konsiderohej fyerje apo shpifje, do të burgosej. Reagimet e jashtëzakonshme, që nxiti kjo nismë e mbështetur nga presidenca kosovare, e detyruan MD-në që të tërhiqet, edhe pse nuk e pranuan kurrë se ishin gabim. Si për ironi të gjithë kësaj historie, që ndodhi në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, erdhi edhe reagimi nga vetë burimi i skandalit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes zyrës për informim ka përshëndetur dje largimin e neneve të propozuara 134/C dhe 134/D nga plotësim-ndryshimi i Kodit Penal, të cilat ndërlidhen me lirinë e shprehjes. Sipas zyrës së presidentit, motivi i ndryshimit të këtyre kodeve ka qenë ekskluzivisht forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Kjo hipokrizi presidenciale është e kuptueshme, për të gjithë ata që e njohin kreun e shtetit dhe ia dinë historinë e tij politike, mes mashtrimesh elektorale, përçarjesh politike, klientelizmash dhe korrupsioni. Shteti që udhëhiqet nga politikanë të tillë, jo vetëm që nuk e mbështet shtypin e lirë, por synon ta ngulfasë atë dhe ta përdorë për interesa të veta kriminale.

(Kosova Sot)