Editoriali: A po gënjen Fajoni apo Qeveria?!

  • 04 May 2017 - 17:00
Editoriali: A po gënjen Fajoni apo Qeveria?!

Krerët e Qeverisë së Kosovës do të duhej të dilnin me qëndrimet përkatëse pas deklaratave të eurodeputetes Tanja Fajon për Demarkacionin dhe liberalizimin e vizave. Ashtu siç edhe ishte pritur në opinionin e gjerë publik, shtimi i këtij kriteri absurd për liberalizimin e vizave është bërë me pajtimin e plotë të ekzekutivit kosovar, që drejtohet nga dy partitë e mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja. Nëse Fajon nuk e thotë të vërtetën, atëherë partnerët e koalicionit duhet të dalin e ta demantojnë. Por, në fakt, e vërteta është pikërisht siç thotë eurodeputetja sllovene.

Duke menduar se opozita do të hiqte dorë nga kundërshtimi i marrëveshjes së dëmshme të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nëse kushtëzohej me të liberalizimi i vizave, Qeveria nuk ngurroi ta pranonte këtë kriter, ndoshta edhe të iniciuar vetë prej saj. Por, koha dëshmoi se koalicioni ra vetë në gropën politike që ia bëri opozitës, e cila e shndërroi Demarkacionin e gabuar në kauzë kundër pushtetit. Qeveria jo vetëm që humbi betejën publike, por deputetët nisën t'i dilnin kundër njëri pas tjetrit. Natyrisht, askush nuk do të donte që nesër të hynte në histori si tradhtar i Kosovës, që me votën e tij ka mbështetur një marrëveshje, e cila e dëmton territorialisht shtetin tonë. Aventura me Demarkacionit dëshmoi joseriozitetin e pushtetit, që nuk merret me hallet e qytetarëve, por politikën e bën mbi kurrizin e tyre.

Po të kishim pasur parti të përkushtuara ndaj vendit, liberalizimi tashmë do të ishte harruar, por me këtë klasë politike është vështirë të presim lajme të mira. Pushtetarët po e mashtrojnë qytetarin dhe kur vjen dita e zgjedhjeve bëhen të pafytyrë, duke ua kërkuar sërish votën. Ata nuk e meritojnë besimin e popullit, sepse na humbën disa vite të çmuara, duke na lënë në izolim të plotë, ndërsa për vete shijojnë luksin dhe benefitet e të qenët në krye të institucioneve. 

(Kosova Sot)