Editoriali: Festa absurde e të izoluarve

  • 10 May 2017 - 16:59
Editoriali: Festa absurde e të izoluarve

Ka pesë vjet që është iniciuar ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare, por assesi që të bëhen bashkë përfaqësuesit e popullit, për të hequr nga kalendari festa që e çuditin edhe vetë Evropën, siç është kjo e 9 majit. Evropianët punojnë gjatë kësaj dite, ndërsa kosovarët e izoluar e kanë ditë pushimi. Në fakt, ata që duhan të udhëtojnë në vendet e BE-së nuk e kanë pushim, sepse ambasadat perëndimore punojnë dhe radhët e njerëzve janë të gjata në pritje të një vize Shëngen. Edhe këtë 9 maj politika e mbrapshtë kosovare i la në izolim qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa shpresat se do të ketë ndonjë lëvizje janë të vakëta me këtë garniturë që udhëheq shtetin. Ndonëse neve na duhet shumë punë për të mbërritur standardet e përparuara evropiane, praktikat që ndjekim janë tërësisht kundër këtij qëllimi. Simbolika e Festës së Evropës nuk është për t'u anashkaluar. Me këtë mentalitet qeverisës është fare e qartë se BE-në do ta shikojmë me dylbi edhe për dhjetëra vjet. Pa ndryshuar mënyra e të bërit politikë dhe qeverisja, është e kotë të shpresojmë se do ta përshpejtojmë ecjen tonë drejt Bashkimit Evropian. Kjo ditë, në një farë mënyre, i shpreh sharlatanizmin dhe dembelinë politike, që e karakterizojnë qeverisjen kosovare. Duhet të djersitemi shumë për të arritur cakun, duke e ditur se me banda politike në krye të shtetit sigurisht ecja do të jetë gjithnjë në drejtimin e gabuar. Për sa kohë rrugëtimi ynë është i dirigjuar nga oligarkët e pushtetit, biznesit, mafio-politika, duhet të bindemi se flasim kot për integrime evropiane. Nënshkrimi i MSA-së është ngjarje që ende na mban entuziastë, si marrëveshja e parë kontraktuale me BEnë, por nuk mjafton. Kosova duhet t'i shporrë të korruptuarit dhe të inkriminuarit, të pastrojë politikën dhe drejtësinë, për ta bërë më të mundshëm hyrjen një ditë në familjen evropiane.  

(Kosova Sot)