Editoriali: Harresa e qëllimshme e sundimit të ligjit!

  • 26 May 2017 - 17:04
Editoriali: Harresa e qëllimshme e sundimit të ligjit!

Fushata zyrtarisht ende nuk ka nisur, por asnjë parti apo koalicion deri tash nuk është duke u fokusuar te sundimi i ligjit, i cili, në fakt, partive fare nuk u intereson. Një shtet, që nuk ka drejtësi, është i destinuar të dështojë të bëhet shtet i vërtetë. Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm për të pasur stabilitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm në një vend demokratik. Politika kosovare është ajo që e ka vulosur degradimin e sistemit, duke instaluar megakorrupsion dhe nepotizëm, klientelizëm dhe prapaskena, në gjykatat dhe në prokuroritë e Kosovës. Në këtë fushatë zgjedhore, partitë duhet të përfshijnë në programet e tyre reformat e domosdoshme në drejtësi, nëse duan të ngjallin një fije shpresë se një ditë do të ketë drejtësi për qytetarët në shtetin tonë. Nëse garuesit në zgjedhje nuk zotohen fare se do ta bëjnë "Vetting"-un në drejtësi dhe institucionet e shtetit, dekriminalizimin e politikës dhe institucioneve, dhe ligjin antimafia, atëherë nuk ka asnjë arsye për të shpresuar se pas 11 qershorit diçka do të ndryshojë në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera vitale për shtetin. Partitë së pari, sidomos këto që qarkulluan në pushtet gjatë tërë këtyre viteve, duhet ta pranojnë se e kanë kalbur qëllimisht sistemin dhe e kanë humbur fare pavarësinë e garantuar me Kushtetutë mes tri pushteteve të ndara e të pavarura.

Oligarkia e politikës asnjëherë nuk ka punuar në favor të avancimit dhe të pavarë- sisë së drejtësisë, sepse, duke e mbajtur të shkelur e nën këmbën e tyre, e ka kushtëzuar, e ka shantazhuar, e ka keqpërdorur skajshmërisht dhe tepër neveritshëm. Si rrjedhojë, edhe sot nuk kemi aktakuza të Prokurorisë Speciale (PSRK) ndaj "peshqve të mëdhenj" të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rasti më i freskët, i dështimit edhe të drejtësisë, është afera e kontratës "Z-Mobile" me PTK-në dhe së fundmi, "falja" e gjobës 32- milionëshe nga mafio-oligarku Blerim Devolli. Vetëm një Prokurori Speciale (PSRK) tepër e lodhur dhe e nënshtruar, si kjo e jona, nuk reagon në këtë rast që ka habitur secilin qytetar të këtij shteti të nëpërkëmbur. Është më se e qartë, se prapaskenat kriminale të marrëveshjes së "Z-Mobile" me PTK-në janë tepër kriminale dhe për këtë fakt e ngriti zërin dhe sinjalizoi prokurorinë dhe opinionin e gjerë edhe vetë kryeministri në dorëheqje Isa Mustafa. Kush tjetër, përveç kryeministrit të vendit, duhet të flasë, që prokurorët më në fund të zgjohen nga gjumi i gjatë shumëvjeçar "mbi dosjet e krimit të organizuar" ? Si duket, prokurorët e përmendur, të zgjedhur dhe të emëruar me "aminin" e bërë në aferën e inkriminuar "Pronto", ku dominonin treshja e parë, "Thaçi,Veseli dhe Grabovci", nuk mund ta hetojnë një skandal të tillë, kundër "kryebosëve" të vetë skandalit në fjalë! 

(Kosova Sot)