Editoriali:Miliardat në xhepat e bandave

  • 01 June 2017 - 17:03
 Editoriali:Miliardat në xhepat e bandave

Hapja e fushatës zgjedhore edhe zyrtarisht mobilizoi partitë dhe kandidatët, ndërsa interneti si rrallëherë u vërshua nga portretet e rregulluara me fotoshop, të qindra kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Kaq shumë numra dhe emra më tepër pritet të krijojnë paqartësi sesa të tërheqin mbështetjen e kërkuar nga subjektet përkatëse për listat e tyre. Por, vëmendjen e zgjojnë natyrisht edhe deklarimet e liderëve, sidomos të atyre që ishin në pushtet, ndërsa në fushatë zotohen që ta bëjnë pikërisht atë që nuk qenë në gjendje as ta inicionin, edhe pse nuk munguan nismat dhe kërkesat ndaj tyre. Rasti ilustrues tipik është me çështjen e buxhetit, që prek interesat e të gjithëve. Më tepër buxhet do të thotë më shumë investime në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi, në kulturë dhe në sport, pensione dhe paga më të mira, mirëqenie më të lartë.

Ne kemi raportuar edhe më herët se si nga ekonomia informale Kosova një buxhet e humb në rrugët e krimit dhe kontrabandës, ndërsa dyshimet janë serioze se përfituesit janë oligarkët dhe njerëzit e lidhur me pushtetin. Kur kjo temë e nxehtë shtrohej për diskutim në Kuvend, të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend heshtën. Iniciativa e para 2 vjetësh e gjysmë e deputetes së pavarur të legjislaturës që përfundoi, Margarita Kadriu, për të hetuar evazionin fiskal dhe për të zbardhur fijet e krimit, nuk u përkrah nga asnjëri grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Pra, asnjëra parti politike e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës nuk bëri asgjë për afro tre vjet. Buxheti në fakt mund të rritet, por që të ndodhë kjo duhet një garniturë e re politike, njerëz profesionistë, që ia duan të mirën shtetit dhe mbi të gjitha sundim ligji. Kur të ndalet kontrabanda e oligarkëve, atëherë miliardat që shkojnë në xhepat e bandave politike do të përfundojnë në arkën e shtetit. Atëherë vërtet buxheti mund të bëhet 5 miliardë.

(Kosova Sot)