Editoriali: Riciklim apo ndryshim

  • 12 June 2017 - 17:01
Editoriali: Riciklim apo ndryshim

Ukrainasit prej dje lëvizin pa viza në hapësirën Shëngen, edhe pse janë në konflikt me Rusinë, për shkak të aneksimit të Krimesë. Por, Bashkimi Evropian e ka parë të arsyeshme që t'ua mundësojë shtetasve të Ukrainës të përfitojnë lëvizjen e lirë. Këtë mundësi nuk e kanë vetëm kosovarët, në rajonin tonë. Edhe pse pjesa dërrmuese e kushteve rezultojnë të plotësuara, dy prej tyre, njëri Demarkacioni me Malin e Zi dhe tjetri lufta kundër korrupsionit, konsiderohen të papërmbushura. Tre vjet të qeverisë 'Mustafa' nuk sollën liberalizimin e vizave. Ky dështim, si ilustrim i një politike të papërgjegjshme, është vetëm një shembull për qytetarët e lodhur të Kosovës me politikanët e papërmirësueshëm në krye të institucioneve. Zgjedhjet e së dielës treguan se asnjë parti apo koalicion nuk e ka shumicën e nevojshme për ta formuar e vetme qeverinë e re, çka paralajmëron ditë të vështira negociatash, prapaskenash, flirtimesh të reja politike në Kuvendin e ri. Ky moment politik do t'i testojë sërish partitë tona se sa janë në gjendje të sakrifikojnë interesat e ngushta, për hir të interesit publik. Përsëritja e një precedenti si ai i vitit 2014 do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin politik dhe ekonomik të shtetit. Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese sigurisht se do ta lehtësojë procesin e formimit të qeverisë së re, por do të jetë barrë e mandatarit të koalicionit fitues përshpejtimi i negociatave që mund të zhvillohen. Pas votimeve të 11 qershorit, problemet mbeten të njëjtat: kriza në drejtësi, ekonomia e ngulfatur, shëndetësia e lodhur, arsimi jocilësor, administrata e politizuar, gjendja e rëndë sociale etj. Duke e parë se struktura të njëjta partiake mund të riciklohen në pushtet, ndryshimet pozitive janë të vështira, por nëse ka vullnet politik mund të ketë ecje përpara. Që të ndodhë kjo duhet të ketë së pari shumë punë dhe përkushtim, meritokraci, drejtësi, barazi para ligjit, ambient më të mirë biznesi, depolitizim të institucioneve të pavarura dhe kompanive publike. Qytetarët kanë të drejtë të jenë skeptikë, por llogaridhënia dhe transparenca duhet të shtohen me garniturën e re qeverisëse që do të vijë pas zgjedhjeve.

(Kosova Sot)