Editoriali: Ky brez politik mund ta rrënojë Republikën

  • 23 June 2017 - 17:00
 Editoriali: Ky brez politik mund ta rrënojë Republikën

Edhe pse deklarimet postelektorale, zakonisht janë të paqëndrueshme, sepse me kalimin e javëve politikanët e zëshëm zbuten, u nënshtrohen liderëve, që marrin vendime pa u pyetur fare strukturat e partive, retorika e këtyre ditëve na bën me dije edhe një herë se ku është katandisur ky vend. Kur i dëgjon protagonistët e skenës politike se si çirren gjithë ditën, se nuk bëjnë me këtë apo me atë tjetrin koalicion, se deri këtu i kanë ato vijat e famshme të kuqe, se nuk shkelin mbi parimet e qeverisjes së mirë, nuk ka se si mos të zhgënjehesh edhe më tepër. Nuk është aspak befasuese që njerëzit të dekurajohen, ende pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve dhe nëse kanë ndonjë zgjidhje t'ia mësyjnë dikah, për të shpëtuar nga kjo rrëmujë e krijuar qëllimshëm prej partive kosovare. Asnjëra prej tyre, asnjë bllok, asnjë subjekt, nuk është në gjendje të përmbahet deri në certifikimin e rezultateve, ta respektojë verdiktin e sovranit dhe të përpiqet që të ofrojë alternativë programore, e jo të kërkojë të shkëpusë ndonjë copë sa më të madhe pushteti. Lufta e egër për pozita, që duket se ka shpërthyer tashmë dhe do ta përcaktojë edhe formën e qeverisë së re, dëshmon se në duar të kujt ka rënë Republika e Kosovës. Është më se e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për ta përmirë- suar qeverisjen, jetën e qytetarëve, për ta forcuar sundimin e ligjit, për ta përmirë- suar ambientin e biznesit, për ta ngritur cilësinë në arsim dhe për ta mëkëmbur shëndetësinë e dërrmuar, por thjesht, është betejë e pistë për ofiqe. Ka fare pak shpresa se pas 11 qershorit vërtet do të ketë ndonjë ndryshim të thellë për mirë, nëse nuk ndryshon ky mentalitet, ku njëri subjekt i kërcënohet tjetrit, njëri koalicion shantazhon tjetrin. Kosovës i duhet unitet, por është shumë e pasigurt se ky brez politikanësh mund t'ia japin atë!

(Kosova Sot)