Editoriali: Korrupsioni i dijes

  • 07 July 2017 - 16:57
Editoriali: Korrupsioni i dijes

Gjykata Themelore në Prishtinë u shqiptoi dënime anëtarëve të rrjetit të organizuar të asistentëve e studentëve, të cilët akuzoheshin për marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dhënie të ryshfetit, por ky vendim është i pamjaftueshëm. Universiteti Publik i Prishtinës duhet të tregohet i vendosur për të mos toleruar krimin akademik në radhët e tij, që, me sa duket, i ka shtrirë rrënjët prej vitesh, i mbështetur edhe nga pushteti. Fakti se i dënuari kryesor i këtij rasti, bashkë me një të dënuar tjetër, u rizgjodhën nga Senati sivjet në pozitën e asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë, dëshmon se në menaxhmentin e UP-së ka probleme serioze. Është alarmant argumenti tjetër se tre nga të dënuarit, në periudha të ndryshme, kanë qenë senatorë nga radhët e studentëve në Senatin e UP-së, ku janë marrë vendime të rëndë- sishme, janë bërë avancimet e stafit akademik etj. Korruptimi në arsimin e lartë është me pasoja të rënda për brezat që po diplomojnë në universitetet tona publike. Nëse në kolegjet private, me ndonjë përjashtim të rrallë, diploma blihet zyrtarisht, në sektorin publik u dëshmua edhe në procesin gjyqësor se nota blihet përmes skemës korruptive. Institucionet kosovare, që mbikëqyrin fushën e arsimit, duhet urgjentisht ta rishikojnë gjendjen në të cilën janë aktualisht universitetet tona dhe të ndërmarrin një reformë të thellë. Politika deri tash e ka parë Universitetin Publik si një tabelë qitjeje, ku ka shtënë kush ka mundur. Si rrjedhojë, gjithkush është bërë profesor, plot janë pranuar pa meritë, ndërsa tash jemi në një situatë kur shumë programe nuk akreditohen fare, sepse nuk janë përmbushur kriteret elementare. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi jo vetëm për një skandal, që përfundoi në gjykatë, por për çdo vendim të gabuar dhe të paligjshëm që është marrë nga organet e Universitetit "Hasan Prishtina", por edhe të universiteteve të reja publike, të cilat duket qartë se janë larg standardeve të kërkuara

(Kosova Sot)