Editoriali: Metamorfoza e madhe VV-së!

  • 27 July 2017 - 17:01
Editoriali: Metamorfoza e madhe VV-së!

 

Interesi për pushtet me gjasë i zbut edhe ata më të ashprit, më radikalët, më të egrit e politikës. Rasti tipik është me Lëvizjen "Vetëvendosje!", e cila në zgjedhjet e 11 qershorit dyfishoi mbështetjen elektorale, në rrethanat e një zhgënjimi të madh mbarëpopullor ndaj partive të mëdha që po sundojnë e shkatërrojnë Kosovën herë në bashkëqeverisje, e herë në koalicione me subjektet e vogla prej 18 vjetësh. Ky ndryshim drastik i kinse idealistëve të bashkimit kombëtar nuk është bash krejt i rastësishëm, por ndërlidhet me shijen e ëmbël të pushtetit të inkriminuar në kryeqytet. Dëshira dhe ambiciet për të shëtitur me jahte të mafio-oligarkëve të inkriminuar, për të krijuar klientela kriminale që sjellin para për xhepat dhe kontot e tyre private, por edhe ata të partisë për të blerë votat e të varfërve, është më e madhe se kurrë. Fundja, cili është qëllimi i angazhimit në jetën politike në Kosovë? Pushteti dhe vetëm pushteti që të sjellë e të rritë pasurinë. Krerët e Lëvizjes, tash kanë vendosur edhe kravata, për të qenë edhe estetikisht më të pranueshëm, ndërsa gjuha e tyre ndaj ndërkombëtarëve është diametralisht e ndryshuar. Jo shumë kohë më përpara, protagonistët e VV-së as që i merrnin në konsideratë shqetësimet e ambasadave perëndimore, kur këto të fundit reagonin ndaj dhunës se tyre politike, ndaj gazit lotsjellës në Kuvend, të sulmeve ndaj policisë dhe zyrtarëve të shtetit përmes përleshjeve në rrugë etj. Por, sot, e shohim me sa ngazëllim i nominuari i VVsë për kryeministër thotë se e ka mbështetjen e ambasadave për ta formuar Qeverinë e re. Kjo zbutje 180 gradëshe e Lëvizjes "Vetëvendosje!", nga njëra anë mund të kuptohet si një kthesë e pritshme, për të qenë e aftë të bashkëpunojë me subjektet e tjera në shtetndërtimin e vendit, por në anën tjetër, duke e ditur natyrën e këtij subjekti refuzues ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me Republikën, është një hipokrizi e thellë politike. Deri dje ata e nënçmonin dhe sulmonin pandalshëm LDK-në, ndërsa sot janë të gatshëm që të bashkohen me ta, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet për t'u pasuruar edhe kriminalisht. Më ironikja është kur i dëgjon të akuzojnë rivalët se po i shkelin parimet e tyre. Nëse disa vjet më përpara VV-ja edhe ka mundur të flasë për parime, sot edhe ky subjekt e ka humbur të drejtën që edhe t'i përmendë ato, sepse tanimë pas katër vjetëve në pushtet në kryeqytet, është bërë e inkriminuar, si gjithë të tjerët, duke u "ushqyer" në magjen e krimit!

(Kosova Sot)