Editoriali: Durimi po soset

  • 12 August 2017 - 17:08
Editoriali: Durimi po soset

Zvarritja e krijimit të institucioneve të reja në Republikën e Kosovës ka nisur t'i nervozojë ambasadorët e vendeve të huaja, sidomos të atyre vendeve që konsiderohen se janë mike të vendit tonë, siç është SHBA-ja. Nuk janë vetëm qytetarët e Kosovës ata që janë të lodhur, e madje edhe stërlodhur, me këto politika konfliktuale, që politikanët tanë dinë t'i krijojnë, por në këtë mënyrë po e humbin durimin edhe ambasadorët, si ai amerikan, Greg Delawie. Ky i fundit është shprehur se vetë kosovarët duhet të gjejnë zgjidhje dhe të mos presin që këtë ta bëjnë të huajt. Këtij lëmshi politik vetë politikanët duhet t'ia gjejnë fillin, sepse vetë e kanë ngatërruar. Nëse nuk janë në gjendje ta gjejnë zgjidhjen, meqë po duket se krijimi i pushtetit të ri është në pat pozicion, nga votat 60 me 60, atëherë duhet të kërkohen alternativa të tjera, të shkohet në zgjedhje të reja. Për këtë nevojitet një konsensus politik, sepse edhe po qe se do të krijohej qeveria me numër të vogël të votave, ajo qeveri nuk do të ishte aspak stabile. Krijimi i një qeverie teknike do të duhej të merrej në konsideratë, gjersa politikanët të pajtoheshin për të kaluar me konsensus një varg ligjesh të rëndë- sisë së madhe, siç është ai i dekriminalizimit, reforma në drejtësi dhe po kështu edhe një reformë të re elektorale e kushtetuese, që të mos prodhohen më kriza të këtilla. Por, që ta bëjnë këtë gjë politikanët tanë pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar duket fare pak e mundshme. Gjashtë muaj të ngërçit politik para tre vjetësh treguan se deri ku është në gjendje të shkojë politika e inateve dhe interesave klienteliste, prandaj edhe bllokada e tanishme është në të njëjtën linjë. Këta politikanë të papërgjegjshëm, që i shikojnë vetëm interesat personale e politike, nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që po ua shkaktojnë qytetarëve dhe imazhin që po ia prishin vendit tonë të ri.

(Kosova Sot)