Editoriali: Kosova, oazë e informalitetit dhe kontrabandës

  • 14 August 2017 - 17:41
Editoriali: Kosova, oazë e informalitetit dhe kontrabandës

Republika e Kosovës, e cila ka nevojë për më shumë arkëtim të taksave e tatimeve, është bërë oazë e informalitetit dhe kontrabandës miliardëshe. Pushteti i kapur është bërë "dorëlirë" ndaj bizneseve oligarkike që kanë monopol në shumë fusha, por edhe i kompanive të mëdha të naftës, të cilat kinse në emër të arkave fiskale të shtrenjta bëjnë evazion fiskal marramendës qindra milionësh. Bizneset e tilla, të lidhura e në ortakëri me pushtetin, nuk çajnë kokën për shtetin, nëse ai varfërohet për qindra miliona apo edhe për miliarda euro në buxhet, sepse qëllimi i tyre i vetëm është përfitimi i paligjshëm e kriminal. Arsyetimet për mosluftimin e kësaj dukurie janë të ndryshme, që nga mungesa e inspektorëve, por në fakt edhe ata "pak" inspektorë i mbyllin sytë ndaj shmangieve masive të taksave, qoftë nga urdhrat e interferimet që marrin nga lart, qoftë nga "taksat" në dorë kur bëhet fjalë për biznesmenët që ua lagin fytin të mëdhenjve. Nëse ka pak inspektorë, siç rëndom ndodhin arsyetime, atëherë shtrohet pyetja pse nuk rritet numri i tyre. Kosova ka administratën më të madhe në rajon dhe punësimet aty janë bërë vetëm sa për të rehatuar familjarët, militantët apo njerëzit e klaneve të inkriminuara. Ngjashëm si të Administratës Tatimore, ashtu edhe në prokurori arsyetohen se nuk mund të luftojnë krimin e korrupsionin, sepse u mungojnë prokurorët. Po ata prokurorë që janë dhe ata inspektorë pse nuk trokasin tek kompanitë e mëdha, të cilat ditën për diell shmangin milionat dhe bëjnë kontrabandën me qindra milionë, duke i shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të varfër të Kosovës? Rasti i fundit i "Birra Pejës" së pronarëve Devolli, i zbuluar në Shqipëri, tregon se si bizneset oligarkike depërtojnë mallrat përmes doganave, duke iu shmangur pagesës së taksave dhe tatimeve dhe këtë nuk mund ta bëjnë pa lidhje të forta me majat e pushtetit të inkriminuar. Prokuroria Speciale e Kosovës vazhdon të bëjë sehir gjersa njerëzit e fuqishëm të bizneseve bëjnë evazion fiskal, para syve të oficerëve të Doganave dhe inspektorëve të ATKsë, si rasti i miellit për kafshë apo akcizës së lëngjeve 'Tango' të kompanisë "Devolli", ku mielli u shit si ushqim për njerëz, por edhe raste të tjera të panumërta me produkte të tjera ushqimore. Republikën e Kosovës po e dështon ky soj i politikanëve të inkriminuar, që nuk mund të frymojë po qe se nuk flirton me nëntokën kriminale dhe mafio-oligarkët e bizneseve sa herë që ka nevojë për "lagie të fytit" dhe milionat e tyre të kundërligjshëm. Metoda e "Pronto-politikës kriminale" është instaluar nga të gjitha partitë, në pozitë e opozitë, dhe po e shkatërron pandashëm e çdo ditë e më shumë shtetin tonë të ri.

(Kosova Sot)