Editoriali: Të pamoralshmit e politikës mbajnë në izolim Republikën!

  • 28 August 2017 - 17:21
Editoriali: Të pamoralshmit e politikës mbajnë në izolim Republikën!

Lëvizja "Vetëvendosje" mbi tre vjet dhunshëm e sulmoi, dhe në fund e votoi rrëzimin e Qeverisë, duke e konsideruar të dështuar Isa Mustafën dhe Qeverinë e tij, por ky i fundit tash ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit partisë që ia mori edhe bastionin e LDK-së, Prishtinën, të cilën tash e qeveris klani i "dostave të korruptuar" të VV-së, të përforcuar e të mbështetur kriminalisht nga klani "Pronto". Në anën tjetër, janë bërë bashkë ish-rivalët, që tash synojnë ta formojnë Qeverinë, por nuk i kanë votat e mjaftueshme në Kuvend. Kjo politikë fare e pamoralshme po e udhëheq Kosovën drejt sfidave të reja. Të izoluar dhe të prapambetur, edhe pse aspirojmë që një ditë do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, tashmë është më se e qartë se me politikanë të tillë nuk do të arrijmë të ecim asnjë hap përpara, por do të vërtitemi nga kriza në krizë. Asnjë nga partitë aktuale deri sot nuk ka arritur të krijojë një model të mirë të qeverisjes, as në nivelin qendror, dhe as në atë lokal. Po bëhen gati 18 vjet që nga përfundimi i luftës dhe të jesh në një situatë të tillë, të pashpresë e kaq dekurajuese, është vërtet shumë dëshpëruese për të gjithë qytetarët tanë. Partitë që janë në Parlament duken krejtësisht të painteresuara që të sakrifikojnë interesat e tyre klanore e kriminale, personale e tepër korruptive, për t'ua rikthyer shpresën qytetarëve. Është e kotë të presim që së shpejti, edhe nëse bëhet Qeveria, do të kemi liberalizim vizash. Kjo garniturë e tejdegraduar politike po dëshmon se është në gjendje të shkaktojë konflikte të njëpasnjëshme, por jo të ofrojë zgjidhje në interes të vendit. Në këto rrethana nuk është aspak befasuese, që Kosova të përballet me ndonjë fluks të ri të braktisjes së vendit. Nëse nuk ka asnjë shenjë ndryshimi dhe shprese, askush nuk do të donte të humbiste më kohë në një vend ku çmohen e vlerësohen të korruptuarit e të inkriminuarit, të paaftët dhe servilët. Kjo, vërtet nuk është Kosova që e duam, por fatkeqë- sisht të tillë e kanë bërë këta politikanë dhe ky lidership i papërmirësueshëm. 

(Kosova Sot)