Editoriali: Kur sundon ligji i xhunglës

  • 29 August 2017 - 17:06
Editoriali: Kur sundon ligji i xhunglës

Brenda një harku të shkurtër kohor tri incidente të rënda ndodhën, ndërsa autorët kanë mbetur në mëshirën e frekuentuesve të rrjeteve sociale, që japin variantet e tyre, ashtu si ua merr mendja. Një drejtor burgjesh, një gazetar dhe së fundmi gruaja e një ministri janë viktimë e rrahjes brutale nga persona ende të paidentifikuar. Në secilin rast, dyshimet ndërlidhen me tentimet për t'ua mbyllur gojën mediave që raportojnë aferat korruptive, zyrtarëve që duan të zbatojnë ligjin dhe politikanëve që denoncojnë publikisht skandalet, siç është rasti në Prishtinë, ku qeverisja e "Vetëvendosjes" është akuzuar nga PDK-ja, për korrupsion me lejet ndërtimore dhe për shumë të zeza të tjera. Por, kush po ushtron dhunë? Problemi nuk qëndron vetëm tek aktet vandaliste, të cilat janë të ulëta dhe të dënueshme, por te mungesa e efikasitetit të drejtësisë. Ne nuk kemi prokurori dhe gjykata të afta për të nxjerrë para drejtësisë banditët dhe dhunuesit, ne nuk kemi prokurorë dhe gjykatës që janë në gjendje të hetojnë aferat shumëmilionëshe të pushtetarëve të të gjitha niveleve. Rastet e dhunës ndaj qytetarëve të pambrojtur janë shqetë- suese, sepse po shtohen, ndërsa të tilla mund të kemi ditët e javët e ardhshme, kur situata politike mund të nxehet edhe më shumë, në prag të zgjedhjeve për pushtetin lokal. Për shkak të keqqeverisjes në komuna dhe në nivelin qendror, është shtuar shumë mosbesimi i qytetarëve. Por, bashkë me të edhe pasiguria për jetën, të cilën po e bëjmë në vendin tonë. Kurrë më të pasigurt nuk kemi qenë, sepse shteti është në ditët e tij më të vështira. Politikanët e papërgjegjshëm kanë bërë që institucionet e shtetit të jenë tërësisht jofunksionale dhe qytetarët të mos e kenë mbrojtjen që ua garantojnë Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Kudo mund ta pësosh nga sulmet vandaliste dhe askush nuk të mbron. Fatkeqësisht, jemi shndërruar në një xhungël në mes të Ballkanit, ku thjesht nuk po funksionojnë fare as shteti dhe as ligji.

(Kosova Sot)