Editoriali: Ne kemi kryeministër, kemi president, por nuk kemi burrështetas

  • 04 September 2017 - 17:15
Editoriali: Ne kemi kryeministër, kemi president, por nuk kemi burrështetas

Polemikat në "Facebook" po ua heqin krejt maskën zyrtarëve të lartë kosovarë. Kështu, së fundmi, dy ish-partnerët e koalicionit qeveritar, para tre vjetësh, shfaqën ndasitë e tyre të thella si dhe mungesën e madhe të komunikimit normal mes tyre. Kur e tërë bota po solidarizohet me SHBA-në për pasojat dramatike të Uraganit në Teksas, ku mbi një milion njerëz janë zhvendosur, në Kosovën e vogël presidenti bën një propozim për ndihmë në rrjetet sociale, ndërsa kryeministri i zemëruar ia kthen se këto gjëra nuk bëhen në "Facebook", por përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Ky është vetëm njëri ndër shembujt e bërë publik, që tregon diskrepancën e madhe që ekziston në mes të institucioneve kryesore të Republikës. Kjo flet shumë për mënyrën se si udhëhiqet vendi dhe cilat janë interesat që dominojnë në këtë qeverisje të deritashme. Kur ishte fjala për t'i ndarë përgjysmë, kundërligjshëm, të gjitha pozitat publike, kryeministri dhe presidenti aktual nuk përtuan të hedhin nënshkrimin e tyre në marrëveshjen e njohur botërisht. Por, kur është fjala për t'u koordinuar për një veprim që i bën nder shtetit dhe popullit më proamerikan në Evropë, atëherë këta liderë të papërmirësueshëm shigjetojnë njëri-tjetrin, duke shfryrë inatet politike apo edhe personale. Kosova është lodhur me këtë politikë inatesh, që prodhon vetëm skandale dhe pengesa e nuk jep kurrë zgjidhje. Tre vjet u trash e keqja, që ishte rrënjosur më herët nga keqqeverisja, korrupsioni dhe klientelizmi. Asnjëri prej liderëve tanë nuk e marrin mundin të bëjnë qoftë autokritikën më të vogël. Secili ia hedh fajin tjetrit, edhe pse dihet, fajësia në këtë rast është e përbashkët dhe asnjëri prej polemizuesve të "Facebook"-ut nuk mund t'i bëjë bisht përgjegjësisë. Për fat të keq, dita-ditës, ky soj lidershipi po i bind të gjithë, edhe vetë mbështetësit e dikurshëm, se ata mund të ushtrojnë funksione të larta në shtet, që i kanë marrë me makinacione të poshtra politike, por kurrë nuk di të mësojnë të sillen si burrështetas.

(Kosova Sot)