Editoriali: Kthejini sytë nga arsimi

  • 05 September 2017 - 17:07
Editoriali: Kthejini sytë nga arsimi

Ndërsa pazareve të politikës kosovare iu vu vula dje, pas "dezertimit" të AKR-së dhe bashkimit me PAN-in, mijëra nxënës e nisën edhe një vit të ri shkollor. Politikëbërja ka lënë pasoja të jashtëzakonshme në sistemin tonë arsimor. Gati 18 vjet pas lufte, shkolla jonë është fare pak produktive, larg standardeve të cilësisë, ndërsa reformat e propaganduara nga qeveritë e njëpasnjëshme, kryesisht kanë rezultuar eksperimente të pasuksesshme. Për fat të keq, Qeveria në ardhje, që do të jetë e brishtë bazuar në votën që pritet ta marrë në Kuvend, nuk dihet se çfarë programi do të ketë për arsimin. Ky është njëri ndër sektorët që ka merituar të jetë prioritet mbi prioritetet, por asnjëherë nuk ka qenë i tillë. Me gjasë, kështu mund të vijojë kjo histori, por mbetet të shihet se kush do ta udhëheqë MASHT-in. Ministrat e njëpasnjëshëm iu shërbyen klientelave dhe nëntokës, ndërsa dyshimet janë të forta për abuzime që kapin shifra milionëshe. Sidoqoftë, Prokuroria kurrë nuk i ktheu sytë nga aferat e denoncuara me fakte në këtë ministri. Shkollat u politizuan, ndërsa mësimdhënia erdhi gjithnjë duke u dobësuar nga viti në vit. Askush nuk e shtroi seriozisht për diskutim këtë çështje, edhe pse prek çdo familje. Pasanikët e paligjshëm të pasluftës, fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla të shtrenjta, sepse e dinë se çka i pret në arsimin publik, që u la pas dore dhe u degradua. Kohë e çmuar është humbur tashmë, por duhet shikuar se çka mund të bëhet për ta rikthyer në brazdën e duhur sektorin e arsimit. Qeveria e re duhet të planifikojë më tepër buxhet për kokë banori, për shkollat, infrastrukturën e tyre, ngritjen e cilësisë në procesin mësimor, modernizimin e arsimit. Në programin e ardhshëm qeveritar duhet të garantohet depolitizimi i arsimit. Vetëm me profesionistë mund të ecet përpara, jo vetëm në arsim, por në secilin sektor. Nëse ka vullnet politik, gjërat mund të marrin kthesën e duhur, por me partitë e konsumuara në pushtet dhe me traditë keqqeverisëse gjasat janë të vogla.

(Kosova Sot)