Editoriali: Lavatriçja e Kosovës

  • 07 September 2017 - 17:20
Editoriali: Lavatriçja e Kosovës

Edhe pse po bëhen gati dy dekada në liri, vendi ynë vazhdon të udhëhiqet nga elita politike të inkriminuara, të dyshuara për korrupsion sistematik dhe pasurim të paligjshëm. Këtu nuk bëhet fjalë për vlera të vogla, por për shuma miliardëshe. Fonde të shumta buxhetore, donacione nga jashtë, nuk përfunduan aty ku ishin dedikuar, për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e shtetit, për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Me gjasë, xhirollogaritë e fshehta të mafio-oligarkëve u trashën, ndërsa çuditërisht drejtësia asnjëherë nuk u mor me ta. Edhe pse u raportua disa herë, me fakte, se si shumat e mëdha po zhvendoseshin drejt parajsave fiskale, në shtete të tjera organet shtetërore heshtën. Por, i tërë ky aktivitet frikësues dhe zhvatës nuk do të ishte i mundur në një vend në tranzicion si Kosova, ku ndërkombëtarët ende mbajnë vulën për shumë vendime. Mund të duket absurde se si në çdo raport që bën BE-ja për progresin e shtetit tonë kritikohet udhëheqja për korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, ndërsa, në anën tjetër, zyrtarët evropianë ua rrahin shpinën liderëve aktualë. Pa një mbështetje të vazhdueshme nga evropianët, në mënyrë të veçantë, ky lidership nuk do të ishte edhe më tutje vendimmarrës dhe i fuqishëm, i superpasuruar dhe me ndikime të thella në secilin sektor. Po cila do të ishte leverdia e disa burokratëve të BE-së për ta bërë një gjë të tillë? Është më se e qartë se të gjitha arsyetimet të dërgojnë te një skemë e fshehtë korruptive, që ka përfshirë ndërkombëtarë, media e shoqëri civile. Herëdokur, ky skandal do të zbulohet, ashtu siç u zbulua në një vend tjetër, në Azerbajxhan. Pas një hetimi nga një konsorcium i gazetave evropiane, rezultoi se elita qeverisëse në Baku ka operuar me një fond sekret prej 2.9 miliardë dollarësh, kanalizuar përmes katër kompanive me seli në Britaninë e Madhe, për të paguar politikanët evropianë që të marrin qëndrim të favorshëm ndaj Qeverisë azerbajxhanase. Fondi sekret, i koduar si Lavatriçja e Azerbajxhanit, ka ekzistuar për dy vjet, deri në vitin 2014. Origjina e parave nuk është e qartë, por "ka prova të mjaftueshme që tregojnë lidhjen e tyre me familjen e presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev", thuhet në raport. Një lavatriçe e ngjashme, ndoshta me shifra pak më të vogla, nuk përjashtohet të jetë bërë nga sundimtarët kosovarë dhe drejtësia duhet të hetojë sa më shpejt.

(Kosova Sot)