Editoriali: 19 vjet në "luftë" me të keqen!

  • 11 September 2017 - 17:05
Editoriali: 19 vjet në

Vitet po ecin me shpejtësi dhe "Kosova Sot" gati po i mbush dy dekada nga botimi i numrit të parë të gazetës. Në rrethana tepër të vështira lufte erdhi në jetë ky medium, ndërsa këtë përvjetor gjithashtu e presim në kushte jo të lehta. Para 19 vjetësh ishim në atmosferë lufte, por entuziazmi ishte i madh. Sot, luftë nuk ka, por kurrë më vështirë nuk ka qenë të mbijetosh si medie në Kosovë. Askush nuk e kishte besuar se pas luftës, në vend të një demokracie të mirëfilltë, do të instalohej një sundim i egër, në vend të një elite të pastër intelektuale, mediale, ekonomike biznesore, do të rrënjosej një oligarki e pangopur dhe e tejinkriminuar. Në këtë rrugëtim të mundimshëm, kur dalëngadalë shpresa u tret, për shkak të degradimit në rritje të qeverisjes, të vlerave, të standardeve, roli i medies së lirë e të pavarur ishte gjithnjë e më i rëndë- sishëm. Në të njëjtën kohë, ky mision sa vinte e haste në presione dhe shantazhe, gjithfarë pengesash, vetëm e vetëm që të na detyronin të heshtnim. Por, që nga dita e parë e botimit, "Kosova Sot" kishte një parim që nuk shkelej dot - ta publikonte vetëm të vërtetën. Ashtu si e nisëm, njësoj jemi edhe sot - tribunë e mendimit të lirë, në një vend që aspiron të jetë demokratik, por, fatkeqësisht, ende nuk është i tillë. Vitet e fundit, të bësh gazetari të mirë është gjithnjë e më e zorshme, për shkaqe të ndryshme, por ne vazhdojmë të udhëhiqemi nga interesi publik, duke mos rënë viktimë e partive, pushtetit, grupeve të caktuara të interesit, oligarkëve që kanë futur në kontroll një pjesë të konsiderueshme të medieve në vend. T'u rezistosh kapësve të inkriminuar të shtetit është sakrificë më vete, megjithatë jemi kryelartë për objektivitetin dhe qëndrueshmërinë tonë editoriale. Sot, kur i dëgjojmë edhe politikanët që e kanë gojën plot akuza kundër oligarkisë, mafio-oligarkëve, shkelësve të sundimit të ligjit, e kuptojmë se ndikimi i gazetës "Kosova Sot" në opinionin e gjerë publik gjithsesi ka qenë i madh. Pas 19 vjetësh, vazhdojmë në rrugën tonë të drejtë, me zotimin se e vërteta dhe vetëm e vërteta do të na udhëheqë gjithnjë!

(Kosova Sot)