Editoriali: Qeveri protokolli apo e punës

  • 15 September 2017 - 17:11
Editoriali: Qeveri protokolli apo e punës

Brenda pak ditësh, që nga formimi i Qeverisë, e-mail-et e redaksive të medieve janë vërshuar me njoftime zyrtare, për takimet e para të ministrave të rinj, zëvendëskryeministrave dhe shefit të tyre. Ekranet televizive janë mbushur me pamjet e takimeve, shtrëngimeve të duarve, urimeve etj. Duket si një garë, duke e ditur edhe përbërjen shumëpartiake të koalicionit, se kush po prêt e përcjell më shumë mysafirë. Për fillim mund të kuptohet kjo eufori protokollare, por pas javëve të para publiku do të dëshironte të shihte një fotografi tjetër, atë që i ka munguar deri tash nga qeveritë e mëhershme. Qytetarëve nuk u intereson se kush erdhi, e kush shkoi, e të dëgjojnë refrene tashmë të bajatshme të tipit "ne e mbështesim Kosovën", "do ta luftojmë korrupsionin", "do t'i heqim monopolet", por duan rezultate konkrete. Që në fillim kjo Qeveri po sfidohet me problemet e bartura prej vitesh në çdo sektor. Në sferën e drejtësisë, kemi dyshimet e ngritura ndaj një ministri serb për keqtrajtim të banorëve, në sektorin shëndetësor disa pacientë dyshohet se kanë vdekur për shkak të një gazi në QKUK, ndërsa në rrafshin e pakicave, Lista Serbe veç ka filluar të shfaqë ambicien e saj, që cenon Republikën e Kosovës, sepse dirigjohet nga Beogradi dhe ka mbështetje nga Moska. Për të gjitha këto tema, është i mirëpritur veprimi i vendosur i ekzekutivit dhe duhet të ketë transparencë e efikasitet. Protokolli është natyrisht pjesë e përditshmërisë së çdo Qeverie, por, gjithsesi, opinionit i intereson të shohë punë dhe rezultate. Rasti i negocimit disa orësh dhe arritja e marrëveshje me banorët e Shipitullës për çështjen e shpronësimit, është shembull i mirë dhe do duhej të pasohej me veprime të ngjashme. Nëse qeveritarët e kuptojnë se ata janë në ato pozita që t'u shërbejnë qytetarëve, atëherë mund të presim ecje përpara. Në të kundërtën, do të vazhdohet me mentalitetin e njohur, të rrënjosjes së oligarkisë dhe forcimin e sundimit.

(Kosova Sot)