Editorial: Ndëshkim për komunarët e dështuar

  • 22 September 2017 - 17:09
Editorial: Ndëshkim për komunarët e dështuar

Dhjetëra subjekte dhe mijëra kandidatë kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Brenda një harku të shkurtër kohor, qytetarët do të kenë mundësi sërish të hedhin votën e tyre për partitë apo kandidatët e preferuar. Zgjedhjet lokale natyrisht kanë specifika të tjera dhe dallojnë nga ato parlamentaret, por janë mjaft të rëndësishme për kursin qeveritar që do të kenë komunat në mandatin e ardhshëm. Qytetarët duhet të jenë shumë të vendosur për të ndëshkuar pushtetarët e pasuksesshëm, arrogantë, të dështuar, të korruptuar, klientelistë, duke nisur nga Komuna e Prishtinës, atu ku kanë shpërthyer skandalet e lejeve ndërtimore që trafikohen, të punësimeve nepotike e militante. Puna e secilit kryetar komune është e matshme dhe në fund të katërvjeçarit në krye të secilës komunë është moment i ballafaqimit me të vërtetën, me premtimet e pambajtura dhe me abuzimet e bëra. Gjatë fushatës së gjatë elektorale, politikanët do të mundohen me çdo kusht të fitojnë mbështetjen e qytetarëve, por ata nuk duhet të harrojnë se nuk mund të premtojnë mrekulli, kur dihet korniza ligjore e pushtetit lokal dhe mundësitë e kufizuara, që të bëjnë gjëra të mëdha, edhe nëse zgjidhen kryetarë komune. Kandidatët në garë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos premtojnë "qiqra në hell", por vetëm atë që mund ta bëjnë po qe se zgjidhen me votën e lirë të njerëzve. Në mesin e garueseve ka emra të rinj, ashtu siç ka edhe plot që duan të riciklohen. Mesazhi më i fortë i elektoratit do të ishte ndëshkimi i garniturave të vjetra, duke nisur nga kryeqyteti, për t'ua bërë të qartë partive se nëse keqqeverisin, atëherë i pret ndëshkimi. Qytetarët duhet të jenë aktivë, që të kërkojnë llogari nga pushtetarët të cilëve po u mbaron mandati dhe të kërkojnë programe të qarta nga ata që synojnë të vijnë në pushtet. Mbi të gjitha, fushata duhet të jetë e qetë dhe demokratike, ndërsa në fund janë votuesit ata që e përcaktojnë se kush do të udhëheqë secilën komunë për katërvjeçarin në vazhdim.

(Kosova Sot)