Editoriali: Banditët në institucionet e shtetit dhe mafio-oligarkët e inkriminuar të përballen me drejtësinë

  • 29 September 2017 - 17:26
Editoriali: Banditët në institucionet e shtetit dhe mafio-oligarkët e inkriminuar të përballen me drejtësinë

Nëse Qeveria e re e ka seriozisht luftimin e krimit dhe korrupsionit nuk i duhet të bëjë kurrfarë zbulimi, por të nisë nga secila zyrë shtetërore, publike, ku dyshohet se ka abuzime me ligjin. Vetëm raportet e auditimit kanë nxjerrë në pah mijëra shkelje, për të cilat asnjëherë nuk është penalizuar askush. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Janë një mal shkelje, shpërdorime pozite, keqpërdorim fondesh, për të cilat kurrë nuk ka pasur veprim të organeve të drejtësisë. Qeveria e re, nëse do të na mbushë mendjen se do të jetë e vendosur kundër të korruptuarve e të inkriminuarve, duhet të ndërmarrë veprime konkrete. I pari do të ishte që t'i bëhej ftesë publike përmes medieve, por edhe zyrtare e me shkrim Prokurorisë së Shtetit, që të nisë një seri hetimesh "ex officio" në çdo institucion të shtetit , në secilën kompani publike, në nivelin qendror dhe atë lokal, duke u bazuar në prova dhe fakte, në gjurmët e argumenteve, të cilat prej kohësh qarkullojnë në medie dhe opinioni është mirë i informuar tashmë, por që deri sot nuk ka pasur asnjë aktakuzë. Për shembull, kompanitë publike vazhdojnë të punojnë me humbje, të shpërdorojnë buxhetin e taksapaguesve kosovarë, ndërsa shteti veç sodit këtë gjendje zhvatëse e anarkie. Menaxherët në secilin dikaster apo kompani duhet të japin llogari për punën e tyre, për borxhet, për dështimet, për mënyrën se si janë pasuruar sa ishin në pozita zyrtare, duke iu bërë "Vetting"-un. Askush nuk duhet t'i bëjë bisht llogaridhënies, është detyrim ligjor dhe etik prej zyrtari. Drejtësia ka shumë punë, por, fatkeqësisht, fare pak është duke lëvizur në hetim të krimit e korrupsionit. Dhjetëra skandale kanë dalë në dritë, ndërsa të gjitha prokuroritë flenë, kurse gjykatat parashkruajnë lëndët pandalshëm. Pa e krijuar një shembull të mirë dhe ndëshkues ndaj kujtdo që abuzon me pozitën publike, nuk mund të themi se jemi duke punuar për shtetin dhe qytetarët, të cilëve u detyrohemi. Qeveria, pavarësisht se si u "arnua", duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Vendimet e saj janë me shumë rëndësi për jetën e njerëzve dhe për kthimin e shpresës në këtë vend të tejdegraduar e të inkriminuar tashmë. Banditët e institucioneve publike dhe klientela e tyre mafio-oligarkike kriminale duhet të përfundojnë në bankën e të akuzuarve, për t'ua hapur rrugën njerëzve të tjerë që e duan Kosovën e tyre.

(Kosova Sot)