Editoriali: Dorëheqja është pak, President!

  • 10 October 2017 - 16:59
Editoriali: Dorëheqja është pak, President!

Dikur "luftëtari" më i zëshëm, që këmbëngulte dhe shantazhonte deputetët e partisë së tij e të tjerët, për ta votuar ligjin e Gjykatës Speciale, e sot në pozicionin e një të zhgënjyeri nga mosrealizimi i pazarit korporativo-politiko-diplomatik. Vetëm një lider si Hashim Thaçi ka mundur të bëjë kurdisje të tilla të pista mbi kurrizin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Vetëm një politikan, që si qëllim jetësor ka pushtetin me çdo kusht dhe çmim, mund të bjerë në nivele kaq të ulëta, duke nxjerrë në ankandin e turpit, edhe vetë kauzën sublime për lirinë, demokracinë dhe drejtësinë e vendit. Individë të UÇK-së mund të kenë bërë krime, por lufta për çlirim ishte e drejtë dhe e lavdishme, ndërsa Serbia hegjemoniste ushtroi gjenocid, bëri masakra e flakëvënie, vrau, preu, dogji e përdhunoi, dëboi mbi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre, shkaktoi dëme disa dhjetëramiliardëshe, për të cilat nuk u përgjigj kurrë. Për krimet e luftës, ishte një Tribunal, ai i Hagës, dhe asnjë vend nuk bashkëpunoi në mënyrë me korrekte se Kosova. Ç'nevojë kishim për Gjykatën Speciale, ku duhet të gjykohen vetëm një grusht shqiptarësh të dyshuar për krime lufte në raportin e Dik Martit, të sponsoruar nga vetë Serbia fashiste e gjenocidale?! Presidenti i zgjedhur në tymin e gazit lotsjellës, në rrethana të një shtetrrethimi, dje na e dha një përgjigje që pakkush e dinte, e cila hap një kapitull të ri politik për shtetin tonë. Pra, kjo Gjykatë nuk ishte nevojë e drejtësisë së vërtetë, por një pazar i ndyrë politiko-korruptiv! Ky është një skandal i madh, që do të rëndojë mbi breza të tërë të Republikës sonë, e cila brenda pak muajsh mund të jetë në titujt kryesorë të medieve të botës për arrestimet që mund të kryhen pas ngritjes së aktakuzave të para. Specialja është vetëm njëri ndër mëkatet e mëdha të kreut të shtetit, sepse lista e kompromiseve të tij të ulëta e të dëmshme, duket të jetë e gjatë. Marrëveshja e keqe e prillit, kur edhe kishte filluar pazari politiko-diplomatik, mandej Asociacioni special, Demarkacioni, etj., mbajnë vulën e këtij njeriu. Fatkeqësisht, ai arriti që ta përçudnojë luftën e pastër të UÇK-së së Vegjëlisë ,jo vetëm me Gjykatën, por duke nxjerrë në tregun e zi korruptiv edhe certifikatat e veteranëve! Dorëheqja nuk mjafton!

(Kosova Sot)