Editoriali: Rinumërimi

  • 24 November 2017 - 17:37
Editoriali: Rinumërimi

Rinumërimet e votave në dy komunat e mëdha, Prishtinë dhe Prizren, kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik kosovar. Rezultatet e ngushta dhe lufta e fortë për të marrë udhëheqjen komunale kanë krijuar një atmosferë të tensionuar politike. Rinumërimi do të jetë një test i fortë për demokracinë kosovare, e cila nuk është përballur me momente të tilla, kur çdo votë ka një peshë të jashtëzakonshme. Rinumërimit të votave nuk duhet t'i druhet askush, edhe pse vendimi i PZAP-it dhe KQZ-së është pak i habitshëm, sepse procesverbalet janë nënshkruar nga të gjithë komisonerët. Por, e rëndësishme është që të mos devijojë procesi dhe në fund rezultatet të jenë transparente e palët ta pranojnë atë rezultat. Askush nuk mund t'ia marrë fituesit fitoren nga duart, edhe pse duhet të jemi të vetëdijshëm që oligarkët kosovarë janë në gjendje të bëjnë gjithçka për pushtet. Këtu nuk bën përjashtim as edhe një parti e vetme, përfshirë edhe "Vetëvendosjen" në Prishtinë. Rinumërimi është vendim i organeve të pavarura që menaxhojnë procesin zgjedhor dhe si i tillë duhet të respektohet, pavarësisht pakënaqësive. Por, nga ana tjetër, organet kompetente duhet të garantojnë transparencë maksimale për secilën votë.

Edhe për shoqërinë civile, që monitoron procesin zgjedhor, tani del një angazhim shtesë, për të siguruar që asgjë nuk ndodh në prapaskenë. Mos të harrojmë përvojat e kaluara zgjedhore, vjedhjet industriale të votave, manipulimet e ndryshme që janë bërë shpesh në vendin tonë. Nëse komisionerët mund të kenë ndryshuar, nuk kanë ndryshuar urdhërdhënësit e tyre. Prandaj, ajo që duhet në këto moment është së pari një maturi e të gjithëve dhe mosnxitje e tensioneve, si dhe vigjilencë nga të gjithë për të mos lejuar devijimin e vullnetit të zgjedhësve. Palët duhet të jenë të durueshme që të presin përfundimin e rinumërimit, i cili natyrisht pritet në ethe, sepse pak vota mund të bëjnë ndryshimin në fund. Partitë e kanë për borxh të mos e prishin procesin zgjedhor, që u vlerësua pozitivisht edhe nga vëzhguesit evropianë.

(Kosova Sot)