Editoriali: Ëndrra qeveritare

  • 29 November 2017 - 17:06
Editoriali: Ëndrra qeveritare

Qeveritë, e Kosovës dhe e Shqipërisë, u takuan sërish, kësaj radhe në Korçë, për të nënshkruar memorandumet dhe marrëveshjet e reja, por duke mos u marrë shumë me ato të vjetrat, të cilat kanë mbetur vetëm në letër. Në mbledhjet e kaluara, Tirana dhe Prishtina zyrtare ishin pajtuar për tregun e përbashkët energjetik, për heqjen e romingut, për standardet e produkteve ushqimore dhe njohjen e certifikatave të sigurisë, por asgjë nuk ka ndodhur deri tani. Nëse kalon kufirin, nga njëri shtet në tjetrin, mbushja telefonike të shpenzohet me një thirrje tepër të shkurtër. Operatorët e telefonisë mobile janë zhvatës të pamëshirshëm në këtë drejtim. Sa u përket produkteve ushqimore, mjafton të përmendim rastin e miellit, një skandal që ka përfshirë të dyja vendet. Mafia e krimit me miellin për bukë ka arritur të depërtojë këndej e andej kufirit, ndërsa cilësia e produkteve është vërtetuar se është tepër e dobët dhe e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Megjithatë, asnjëri shtet nuk ndërmerr masa që ta ndalojë këtë dëm të jashtëzakonshëm ekonomik dhe sidomos shëndetësor, që u bëhet konsumatorëve në Kosovë e në Shqipëri. Kur jemi te aspekti energjetik, tregu i përbashkët as që u realizua ndonjëherë, ndërsa lartpërçuesi që u ndërtua ka mbetur jofunksional për shkak të bllokimeve e problemeve me Serbinë. Shqipëria, nga ana e saj, po i përforcon marrëdhëniet, sidomos në rrafshin ekonomik, me shtetin serb, ndërsa partneriteti me Kosovën mbetet më tepër në nivelin e një patetizmi dhe retorike mashtruese e të njohur politike tashmë. Publiku është mësuar tashmë të dëgjojë refrene të zjarrta patriotike nga mbledhja në mbledhje dhe tash secili është i bindur se më tepër këto takime janë propaganduese, e kryesisht mashtruese, sesa praktike, për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Shtetet tona me të gjithë arrijnë të bëjnë biznes, të shtojnë tregtinë, por me njëra-tjetrën bilancin e kanë tepër modest. Edhe vetë përfaqësues të biznesit në Kosovë ankohen për trajtimin që u bëhet bizneseve kosovare që duan të punojnë në Shqipëri. Për sa kohë kemi telashe të tilla, mbledhjet e Qeverive mund të jenë rast i mirë për ca mëditje dhe shpenzime shtesë për buxhetin, por jo diçka më shumë.

(Kosova Sot)