Editoriali: Politikë e paskrupullt

  • 30 November 2017 - 17:17
Editoriali: Politikë e paskrupullt

Në finalen e balotazhit të gjitha partitë po drejtojnë akuza ndaj njëra-tjetrës për manipulim votash, blerje të votuesve, për "trenin bullgar", etj,etj. Ajo që është duke parë opinioni publik është një mjegull e madhe në fund të procesit, që rrezikon ta zbehë edhe më tutje besimin e qytetarëve te institucionet që menaxhojnë procesin zgjedhor, por edhe te të zgjedhurit, që presin të marrin mandatin. Me këtë shpërthim akuzash, subjektet kosovare po e konfirmojnë edhe një herë se të gjitha, pa përjashtim, e kanë vënë si qëllim kryesor pushtetin dhe jo shtetin. Ato, kush më shumë e kush më pak, qytetarët i shohin si një makineri votuese, që përdoret një herë në katër vjet dhe pastaj lihet diku në harresë. Edhe pse elektorati, pavarësisht injorimit që ua bën politika, nuk po "ndryshket", por është duke shfaqur shenja serioze vetëdijësimi, oligarkia e partive guxon të manipulojë vullnetin e tyre gjithnjë. Nëse nuk arrin direkt te votuesit përmes kushtëzimeve, shantazheve e parasë, atëherë instrumentalizon komisionerët. Kur dështon edhe me këta, aktivizon njerëzit e politizuar në organet ligjore. E kështu, kjo skemë kriminale, në të cilën kanë hisen e tyre të gjitha partitë tona, vazhdon të funksionojë, të prodhojë paqartësi e skandale, duke ua humbur edhe atë fije të vogël besimi që mund t'u ketë mbetur ende njerëzve të këtij vendi. Është fatkeqësi të thuhet, megjithatë realiteti nuk ka qenë kurrë më i hidhur. Subjektet në garë nuk i tregojnë kurrë financat reale që i përdorin për të ardhur në pushtet, por është fare e qartë se miliona euro i kanë vënë protagonistët dhe sponsorët e tyre të fshehur apo publikë, që të fitojnë pozitat udhëheqëse në komuna. Ngjashëm ndodh edhe me pushtetin qendror. Borxhi pastaj kthehet kur nis mandati qeverisës, përmes tenderëve, projekteve, lejeve ndërtimore etj. Është e pafalshme për drejtësinë miope, se si nuk arrin ta deshifrojë këtë mekanizëm mafioz,që dirigjon politikën në Kosovë dhe po i detyron qytetarët, që një ditë e më parë, ta braktisin shtetin e tyre.

(Kosova Sot)