Editoriali:Po na vjedhin e po na vrasin - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Po na vjedhin e po na vrasin

Editoriali:Po na vjedhin e po na vrasin

Vrasja tragjike në Malishevë, nga hajnat që shkuan të vidhnin dhe pasi u penguan nga të zotët e shtëpisë qëlluan mbi ta, duke i lënë të vdekur, është një ngjarje tepër e rëndë, që e ka tronditur opinionin publik. Vjedhjet janë shtuar kohët e fundit në Kosovë, duke sinjalizuar kështu se pasiguria është bërë edhe më e madhe. Në pikë të ditës të futen në shtëpi, në dyqan, të grabisin, ndërsa organet e rendit duken të pafuqishme ta ndalin këtë dukuri shqetësuese. Për kriminelët, kjo është periudha më e përshtatshme, që të vjedhin ngado, sepse shteti është në pikën më të ulët të mundshme që nga shpallja e pavarësisë. Qeveria e ka hallin si t'ia trashë luksin vetes, Parlamenti as që mërzitet, por vazhdon të hajë qyl në kurrizin e votuesve, institucionet e tjera janë më të padukshme se kurrë. Hajnat ordinerë nuk frikësohen nga ligji, sepse e shohin se zyrtarët e lartë që janë shndërruar në hajdutë profesionistë të buxhetit, mbeten të paprekshëm. Me një fjalë, hajnia në këtë vend është bërë "institucioni" më i respektuar dhe i dashur për pushtetin. Ne kemi një Ministri të Brendshme inekzistente, që mbron policët e inkriminuar, një drejtësi të korruptuar, e cila i fal zakonisht banditët. Qeveria nuk ka kurrfarë plani për ta shtuar sigurinë në vend dhe kjo vlen edhe për pushtetet komunale. Qytetari është lënë në mëshirën e fatit dhe të hajnave vrasës, prandaj zgjidhja e vetme mbetet vetëmbrojtja! Si për ironi të fatit, armët me leje u jepen pikërisht atyre që lirisht mund t'i thërrasim si hajnat e mëdhenj të Kosovës. Populli ka mbetur pa përkujdesjen e duhur shtetërore, ndërsa çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, numërojmë viktimat e kësaj anarkie shtetërore. Për fat të keq, edhe kjo e ashtuquajtura shoqëri civile as që merret me çështjet e sigurisë, sepse me gjasë kjo nuk sjell fonde. Nuk kanë faj, sepse edhe ata i kanë hajnat e tyre!

(Kosova Sot)

2 orë e 55 minuta më parë
25/06/18