Editoriali:Tradhtarë dhe patriotë!

  • 20 March 2018 - 17:04
Editoriali:Tradhtarë dhe patriotë!

Shanset për kalimin e Marrëveshjes së kontestuar për shënjimin e delimitimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, këtë të martë, janë më të larta se asnjëherë tjetër gjatë këtyre tre vjetëve tepër të mundimshëm për qytetarët kosovarë. Por, në të njëjtën kohë, dyshimet për dobinë e kësaj Marrëveshjeje janë edhe më të forta se kurrë. Edhe pse është nënshkruar një deklaratë presidenciale, pa kurrfarë vlere juridike ndërkombëtare, përmbajtja e pandryshuar e Marrëveshjes së Demarkacionit i lë të hapura dilemat e stërshtjelluara deri më tash. Të gjendur në pushtet, ish-opozitarët e djeshëm do të mbahen pas disa ndryshimeve kozmetike në ligjin që do të ratifikohet, duke qenë të vetëdijshëm se Mali i Zi e ka ratifikuar pikërisht Marrëveshjen, të cilën ata bashkë me kundërshtarët e tjerë të saj e hodhën poshtë me protesta, hedhje gazi, peticione. Sidoqoftë, edhe pse tani e kanë mbështetjen e LDK-së, që nuk ka nga t'ia mbajë, sepse kur e kishte kryeministrin, e mbështeste të njëjtën Marrëveshje, votat nuk janë bash krejt të sigurta. Në betejën mes patriotizmit dhe tradhtisë, Lista Serbe ka një rol vendimtar. Vota e tyre në favor të përcaktimit të një kufiri ndërshtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, de fakto, është njohje e realitetit politiko-juridik të Republikës. Nga ana tjetër, në prag të vazhdimit të dialogut në nivelin presidencial, lëshime të reja mund të jenë premtuar nga presidenti ynë, përgjegjësi e fajtori kryesor për Marrëveshjen që ia humb Kosovës 8200 hektarë! Gjithsesi, epiteti "tradhtar" mund të rëndojë më tepër mbi deputetët shqiptarë, të cilët duhet të përcaktohen, nëse do të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial, siç e kërkon betimi parlamentar, apo do t'u shërbejnë me besnikëri oligarkëve të pushtetit. Sidoqoftë, përfaqësuesit e popullit duhet t'i japin drejtim kësaj çështjeje që po e mban peng tërë vendin, sepse janë aty për të marrë vendime të përgjegjshme e jo për ta futur kokën në zall si struci...!

(Kosova Sot)